Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kundërkandidatët e akuzojnë Lladrovcin për keqmenaxhim të situatës me pandeminë

Kandidatët për kryetar të Komunës së Drenasit në Debat Pernime kanë kritikuar menaxhimin e pandemisë nga ana e kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci, i cili njëherësh është në garë për edhe një mandat.

Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin” ka thënë se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas nuk ka asnjë infektolog.

“Si e ndjenë vetën që nuk ke infektolog, që dy vjet jemi me pandeminë. Asnjë infektologë nuk e ka QKMF-ja”, ka pyetur Drenori-Lladrovcin.

Lladrovci u kundërpërgjigj duke thënë se si Komunë nuk kanë kompetencë të rekrutojnë infektolog.

“QKMF nuk ka infektolog sepse ka dal në pension. Ne nuk kemi drejtë me rekrutu infektolog” u përgjigj Lladrovci.

Kurse, kandidati tjetër, Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin tha se në QKMF-të e Drenasit mungojnë edhe barnat esenciale.

“Sot në QKMF mungojnë gjërat elementare për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Aty mungon edhe një fllaster për ta përforcuar kanillën. Është dashur që të rriten kapacitetet në të gjitha format që ta menaxhojmë sa më mirë pandeminë”, tha Ajazi. Ndërlidhur më këtë Lladrovci deklaroi se barnat esenciale i siguron Ministria e Shëndetësisë.

Arta Ahmeti Xhylani nga AAK tha se përse nuk kanë ndarë fond të veçantë për t’i përkrahur familjet të prekur me COVID-19.

“Na e dimë që listën esenciale e bënë Ministria e Shëndetësisë, por po duam me ditë pse disa komuna kanë nda fond të veçantë dhe i kanë përkrah financiarisht që kanë qenë të infektuar me COVID. Pse nuk e keni bërë edhe ju këtë”, e pyeti Ahmeti-Xhylani, Lladrovcin.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Drenasit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Ata përballë Jeta Xharrës do të japin përgjigje se si do të menaxhojnë me pandeminë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Drenasit: Arta Ahmeti Xhylani nga AAK; Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin; Fejzi Kiqina nga LVV; Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Drenasit: Edolina Plakiqi nga AAK; Egzona Tërdevci nga LVV; Egzona Jetullahi nga PDK; Erstina Nika nga LDK; Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin dhe Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.