Kryetari i Zubin Potokut e festoi ditën e Pavarësisë në komuna të tjera

 

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka festuar ditën e Pavarësisë së Kosovës në komuna të tjera, me aktivitete partiake e ndërkomunale.

I kontaktuar nga KALLXO.com Zeqiri tha se në komunën që ai drejton, nuk ka pasur sot ndonjë aktivitet, sipas tij “për shkaqe etnike”.

Zubin Potoku është komunë e banuar me shumicë serbe.

“Të premten në shkollën në Çabër një organizim i shkollës ka qenë. Ma gjerë s’kemi shku për shkaqe etnike” – tha ai.

Sot, më 17.02.2024, ai tha se ka qenë në organizime në Skenderaj e Mitrovicë të Jugut.

Në janar 2024, në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe janë nënshkruar peticione për shkarkimin e katër kryetarëve.

Izmir Zeqiri më 19.01.2024 pati thënë se është skeptik lidhur me rezultatet e këtij peticioni sepse sipas tij ka numër të vogël të qytetarëve të interesuar për nënshkrimin e tij.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23.04.2023 në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por me më pak se 4% mbështetje nga votuesit. Popullata shumicë serbe, pas thirrjeve të përfaqësuesve të saj politikë, i ka bojkotuar ato zgjedhje.

Hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale më 26.05.2023, përkundër rezistencës së banorëve lokalë, kishte shkaktuar tensione në këtë zone.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.