Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Dështon të mbahet seanca për sulm ndaj personave zyrtarë gjatë protestës së vitit 2015

Në mungesë të të akuzuarve Arbër Berisha, Albert Fazliu, Zgjim Hyseni, Asdren Lekaj dhe Albert Memaj ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit për sulm ndaj personave zyrtarë.

Ndërsa i  pranishëm në sallë ishte  vetëm i akuzuari – deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.

Gjyqtarja Naime Krasniqi në lidhje më këtë rast tha që duke iu referuar aktakuzës dhe veprave penale në këtë aktakuzë, Gjykata do t’i vlerësojë rrethanat e parashkrimit të kësaj çështjeje penale.

”Duke iu referuar aktakuzës dhe veprave penale të përfshira në aktakuzë… Gjykata do të vlerësojë rrethanat e parashkrimit të kësaj çështje penale ngase aktakuza është proceduar në gjykatë me 22.01.2016 dhe tutje asnjë veprim nuk është ndërmarrë për të ndaluar ndjekjen penale. Pas vlerësimit të të gjithave Gjykata do të marrë aktgjykim refuzues” – tha gjyqtarja Krasniqi.

Në fund gjyqtarja tha që nuk mund të marrë ndonjë veprim pa i parë shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës të vitit 2016, më 18.11.2015 rreth orës 13:00 në sheshin “Skënderbeu”, më saktësisht tek hyrja e Qeverisë së Kosovës, të pandehurit kanë sulmuar personat zyrtarë të cilët kanë qenë duke i kryer detyrat zyrtare  lidhur me sigurinë e përgjithshme.

Si shkak i këtyre veprimeve ka ardhur deri te lëndimi i disa personave zyrtarë e sipas aktakuzës për këtë ka edhe dëshmi mjekësore.

E me këto veprime të pandehurit secili veç e veç kanë kryer veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar.

Tutje sipas aktakuzës të pandehurit e po ashtu në të njëjtën ditë në vendin e njëjtë me veprimet e tyre të dhunshëm dhe me pjesëmarrje në veprime huligane duke hedhur gurë, pjesë betoni, ngjyrë, shishe, mjete piroteknike, dhe gjësende të tjera në drejtim të personave zyrtarë me qëllim dëmtimin e personave zyrtarë të cilët kanë qenë sigurim në detyrë zyrtare u kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme.

Gjithashtu të njëjtit kanë dëmtuar edhe 14 vetura si private ashtu edhe zyrtare duke gjuajtur mbi to gjësende të ndryshme të cilat i kanë bërë të papërdorshme disa vetura.

Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale – pjesëmarrje në turmë që kryejnë vepër penale dhe huliganizëm.

Tutje sipas aktakuzës, Albert Fazliu më 17 nëntor të vitit 2015 në Prishtinë, më saktësisht në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ka sulmuar personat zyrtar të cilët kanë qenë duke i kryer detyrat zyrtare lidhur me sigurinë e përgjithshme. I akuzuari ka gjuajtur me gur relativisht të madh në drejtim të personave zyrtarë më çka ka rezultuar në lëndim të lehtë.

Kurse më 18.11.2015 në afërsi të Hotel Grand Fazliu përsëri ka vepruar dhunshëm dhe ka gjuajtur me mjete të forta në drejtim të Policisë më gurë, dru e copa betoni derisa është arrestuar.

Me këtë veprim i njëjti ka kryer veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar.