Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kryetari dhe nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut i shkojnë Kurtit në zyrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë takuar kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe nënkryetaren e kësaj komune, Katarina Agjançiq.

“Kryetari Atiq e njoftoi kryeministrin se së bashku me ekipin e tij janë duke punuar çdo ditë me intensitet të lartë për të propozuar dhe realizuar projekte që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve dhe shërbimet ndaj tyre” – njofton Zyra e Kryeministrit.

Ndërkaq, Kurti i ka uruar punë të mbarë dhe i ka siguruar mbështetjen e plotë nga qeveria qendrore për kërkesat dhe projektet e kësaj komune, me qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe shërbimet më efikase ndaj qytetarëve.

“Komuna e Mitrovicës Veriore, është e hapur dhe transparente, drejtorët komunalë janë përzgjedhur për të përfaqësuar frymën multietnike dhe bashkërisht po punojnë me përkushtim, pa përjashtim dhe me profesionalizëm” – shkruan ZKM.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Mitrovicë së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill 2023, pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave veriore, me shumicë serbe.

Që nga 26 maji, është protestuar për hyrjen e kryetarëve nëpër objektet komunale në Leposaviq e Zveçan. Gjatë protestave ka pasur përplasje të pjesëtarëve të KFOR-it dhe protestuesve, ku kanë mbetur të plagosur dhe lënduar mbi 30 paqëruejtës të KFOR-it dhe disa qytetarë serbë.

Gjatë këtyre ditë, disa persona të maskuar mes protestuesve kanë sulmuar fizikisht gazetarët kosovarë të cilët kanë shkuar të raportojnë për zhvillimet nga veriu. Disa prej të dyshuarve për sulm ndaj gazetarëve janë arrestuar nga Policia e Kosovës.