Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Kryeprokurori me shtëpi me vlerë 220 mijë euro

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi në Agjencinë kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se në emër të tij ka një shtëpi dhe dy banesa, të cilat kapin shumën rreth 420 mijë euro.

Një shtëpi me sipërfaqe 268 m2, me vlerë rreth 220 mijë euro,dhe dy banesa njëra me sipërfaqe 79 m2,  me vlerë prej 120 mijë euro dhe tjetra 45 m2 me vlerë rreth 80 mijë euro, përbëjnë kapitalin e Lumezit.

Ndërsa  si pasuri të luajtshme në emër të tij ka deklaruar 5 piktura të vitit 1995, në vlerë prej 15 mijë euro.

Kurse dy veturat të cilat i ka deklaruar e që kapin shumën prej 25 mijë euro, ka thënë se janë në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve.

I pari i Prokurorisë së Shtetit gjithashtu ka deklaruar se 58 mijë euro i ka të kursyera në bankë.

Ndërsa në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve, si para të kursyera i ka deklaruar rreth 34 mijë euro.

Lumezi të hyra vjetore nga paga, mëditje dhe qiraja i ka deklaruar 51 mijë euro.

Kurse për bashkëshorten dhe fëmijët të hyra vjetore ka thënë se i kanë 18 mijë e 512 euro.