Kryeministrja e Zelandës anulon dasmën për shkak të COVID-19

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka anuluar dasmën e saj pas prezantimit të masave  të reja kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Siç raporton BBC, Zelanda e Re do të mbyllet për shkak të përhapjes së variantit të ri, Omicronit.

Sipas masave të reja kufizuese, lejohen maksimalisht 100 persona të vaksinuar në organizime, ndërsa maskat janë obligative në shitore e transport publik.

Zelanda e Re ka regjistruar 15,104 raste me COVID-19 dhe 52 të vdekur.

Kryeministrja Ardern të dielën ka konfirmuar se dasma e saj me Clarke Gayfordin është anuluar.

“Unë nuk jam ndryshe prej zelandezëve të tjerë të cilët janë prekur nga pandemia. E më e rënda ka qenë pamundësia për të qenë me të dashurit nganjëherë kur kanë qenë shumë të sëmurë. Kjo është dukshëm më e rëndë sesa dëshpërimi që po e ndjej unë”, ka thënë ajo.

Kufizimet e reja kanë hyrë në fuqi të dielën sipas kohës lokale të Zelandë të Re.

Përgatiti: Arta Sopi