Kryeministri kundër ministres: Dialogu me Serbinë nuk është teknik

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka komentuar deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj e cila ndër të tjera ka thënë se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik.

I pyetur nëse ka koordinim brenda koalicionit qeverisës për çështjen e dialogut, Hoti tha se është duke e bërë maksimumin për koordinim.

“Procesi i dialogut është proces politik për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, nuk është proces teknik. Unë jam duke bërë maksimumin që të koordinohemi me koalicioni qeverisës, me Kuvendin, Presidentin, sepse ky nuk është proces që kryhet nga një person i vetëm dhe nuk është proces që kryhet prapa perdeve”, tha kryeministri në konferencën pas takimit me presidentin Thaçi.

Sipas Hotit, interpretimet se dialogu ka kaluar në atë teknik nuk janë të sakta.

“Fokusi jonë është marrëveshja përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, çdo interpretim tjetër nuk është i saktë”, theksoi Hoti.

Ashtu si Hoti edhe presidenti Thaçi në konferencën pas takimit të përbashkët tha se nuk dëshiron dialog teknik, por vetëm politik me Serbinë.

Thaçi nuk do dialog teknik me Serbinë