KRU “Mitrovica” njofton ku do të vendoset sonte cisterna me ujë të pijes

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se cisterna me ujë të pijes do të vendoset te shkolla fillore “Migjeni” në Iliridë nga ora 22 deri në orën 23:30.

Ndërsa, nga ora 23:30, ajo do të vendoset në fshatin Gushafc dhe aty do të qëndrojë derisa të zbrazet komplet.

Sot në mbrëmje, IKShPK ka njoftuar se nga dje, si pasojë e vërshimeve, fabrikat në Balicë të Vushtrrisë dhe në Shipol të Mitrovicës kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skënderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e papërpunuar.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka njoftuar se pas vërshimeve më shumë se 100 familje janë evakuuar në Mitrovicë.

Hamza ka potencuar se fillimisht është bërë një mobilizim i të gjithë akterëve relevant komunal përmes Qendrës Operative Emergjente Lokale për menaxhimin e vërshimeve, të cilët janë duke e monitoruar gjendjen në çdo cep të Komunës së Mitrovicës.

Hamza po ashtu ka treguar se dje në Mitrovicë ka patur një situatë të jashtëzakonshme e të paparë ndonjëherë.