Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook

IKShPK njofton për gjendjen e furnizimit me ujë sipas rajoneve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për gjendjen e ujit, furnizimit me ujë dhe ka dhënë disa rekomandime për t’u përballur me gjendjen e përkeqësuar për shkak të vërshimeve.

IKShPK ka rekomanduar vlimin e ujit para përdorimit dhe shfrytëzimin e resurseve të sigurta ose ujit të ambalazhuar.

“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike” – ka njoftuar IKShPK.

Në disa zona të vendit janë shtuar turbullira në shumë burime dhe si pasojë ka vështirësi në trajtim të ujit, prandaj IKShPK ka njoftuar për gjendjen sipas rajoneve.

Prishtinë

Sipas KRU “Prishtina” fabrika në Shkabaj dhe fabrika në Drenas janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë të proceseve teknologjike të përpunimit te ujit.

“Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërê zonat e shërbimit të KRU-Prishtina. Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKShPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human” – thuhet në njoftim.

Mitrovicë

Referuar KRU “Mitrovica”, nga dje fabrikat në Balicë të Vushtrrisë dhe në Shipol të Mitrovicës kanë ndërprerë furnizimin në Mitrovicë dhe Skënderaj për shkak të rritjes së turbullirës në ujin e pa përpunuar.

Thuhet se në orët e pasdites pritet të startojë trajtimi me kapacitet të zvogluar.

“Në mostrat e grumbulluara deri dje, analiza laboratorike fiziko-kimike rezultojnë me vlerë të ngritur të turbullirës e cila i tejkalon vlerat standarde të lejuara. Nga rezultatet preliminare të mostrave bakteriologjike të ditës së djeshme, janë në rimbjellje dhe rezultatet përfundimtare që do të përfundojnë nesër” – thuhet në njoftim.

Pejë

KRU “Hidrodrini” ka lajmëruar që turbullira vazhdon të jetë prezente në burimin e Drinit të Bardhë në Radavc dhe burimin e Shkozës në Junik.

Për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarine – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë. Gjithashtu është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi i ujit drenazhet sistemi CDF-Deçan.

“Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP – Pejë janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human” – ka njoftuar IKSHPK.

Gjakovë

Në zonat e furnizimit nga KRU ”Gjakova” thuhet se gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Ndërsa, në zonat e furnizimit nga burimet në Demjan dhe Gërqinë uji nuk është i pijshëm për shkak të vlerave të shtuara të turbullirës

Ferizaj

Sipas KRU “Bifurkacioni” të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë dje dhe sot në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Ndërkaq, sipas njoftimit uji në rrjetet shpërndarëse nga sisteme me vlera të shtuara të turbullirës nuk është brenda standardit të paraparë dhe nuk rekomandohet të pihet.

Qendra e Ujit e IKSHPK-së ka rekomanduar të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) që me qëllim të stabilizimit të furnizimit të përdorin burimet e paprekura, të bëjnë furnizimin me autobote/cisterna me ujë të pijshëm, të riparojnë dhe zhbllokojnë pusetat, të riparojnë dëmtimet në rrjetin shpërndarës dhe të kenë kujdes të shtuar në procesin e trajtimit dhe dezinfektimit.

Siç njofton Instituti, ai është në bashkëveprim të vazhdueshëm me KRU-të dhe me institucionet shtetërore deri në qetësimin e situatës dhe ekipet e tij janë në gjendje gatishmërie e po vazhdojnë me monitorim të rregullt dhe në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situates epidemiologjike do të informojë në kohë reale.