Shqetësime për helmim të ujit, KRU “Mitrovica” thotë se uji është i pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar qytetarët se uji që trajtohet nga impiantet e tyre është i pijshëm dhe i plotëson të gjitha standardet.

“Uji është i pijshëm në të gjitha komunat që furnizon Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”” – thuhet në njoftim.

Ky njoftim vjen pas qarkullimit të disa informacioneve se ky ujë është helmuar.

Një shqetësim i tillë është pranuar edhe në KALLXO.com nga një qytetar i cili ka thënë se uji në Vushtrri dhe Mitrovicë është helmuar.

Drejtori teknik i KRU “Mitrovica”, Kadri Istrefi i kontaktuar nga KALLXO.com tha se kanë pranuar disa telefonata me këtë shqetësim, mirëpo shtoi se kjo gjë nuk qëndron.

Istrefi shtoi se i njëjti ujë konsumohet edhe nga Mitrovica e Veriut.