Foto: KALLXO.com
Nis prodhimi i ujit nga KRU "Mitrovica", detaje se në cilat lokacione po shpërndahet
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar gjatë ditës së sotme se ka filluar prodhimi i ujit në impiantin në fshatin Shipol.
“ Impianti për Trajtimin e ujit në Shipol ka filluar punën herët në mëngjes. Momentalisht jemi duke punuar me kapacitet të reduktuar”- thuhet në njoftim.
Tutje të njëjtit kanë thënë edhe se fillimisht uji të mos përdoret për pije por për nevojat shtëpiake.
“Duke pasur parasysh se rrjeti i ujësjellësit ka qenë i zbrazur, rekomandohet që uji mos të përdoret për pije fillimisht por vetëm për nevoja tjera shtëpiake. Për zhvillime tjera do u informojmë me kohë”, ka thënë KRU “Mitrovica”.
Përveç fshatit Shipol kjo komani ka njoftuar edhe për shpërndarje të ujit në disa lokacione të tjera sic janë, në Vushtrri, fshatin Balincë, e edhe fshatin Çabër.
Kur nisi përmbytja e qytetit pas reshjeve të shumta të shiut, KRU “Mitrovica” kishte njoftuar se nuk kishin mundësi të fillonin prodhimin/ trajtimin e ujit.