
Kreshnik Gashi: Në veri janë konfiskuar mbi 20 "Zola"
Gazetari i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka dhënë detaje se në aksionin e sotëm të Policisë në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një polic si dhe dy tjerë morën plagë nga një grup i armatosur, është gjetur arsenal armësh, prej tyre, mbi 20 “Zola”.
Ai në emisionin ‘Kallxo Pernime’ potencoi se kjo që ndodhi sot është një rast i paprecedent në Kosovë, derisa qëllimi ka qenë që të dërgohet mesazh se çfarë janë në gjendje të bëjnë.
“Ajo që ka ndodhur sot është një rast i paprecedent në vendin tonë dhe që deri në pasditen e sotme na ka bërë të zbulojmë atë për cfarë jemi frikësuar për një kohë të gjatë, që ka qenë paralajmërim shumë i gjatë se në veri po përgatitet një strukturë e armatosur dhe ka potencial për të destabilizuar vendin”- ka thënë Gashi.
“Sipas informacioneve në zonë është gjetur arsenal i armëve, diku mbi 20 ‘Zola’”- shtoi ai.
Sipas tij, pamje qe jemi mësuar t’i shohim në Ukrainë, sot na janë shfaqur në vendin tonë.
“Grupi ka qenë fillimisht me një mision politik për institucionet e Kosovës që të tregojnë se brenda vendit tonë mund të ndërtojnë perandori të armatosur dhe të sulmojnë policinë”- shtoi Gashi.
Ai theksoi se për fat të mirë, grupi nuk pati përkrahjen e civilëve në atë zonë, derisa ende nuk dihet se kush janë personat e vrarë apo lideri i tyre.
“Grupi për fat të mirë nuk ka pas përkrahje prej civilëve në atë zonë dhe nuk i kanë dalë kundër policisë me ndonjë bllokim rruge apo aksione tjera, ka pasë distancim nga qytetarët. Nuk e dimë pse nuk ka pasur reagim nga qytetarët, nuk e dimë as kush janë personat e vrarë apo kush është lideri i tyre”- shtoi Gashi.
https://kallxo.com/lajm/live-kriza-e-veriut/