Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Krasniqi: Dorëheqja e kryetarëve në veri është kërkesë e Beogradit

Ministri  i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi se dorëheqja e kryetarëve në katër komunat në veri është kërkesë e Beogradit.

Andaj sipas tij, Kosova nuk duhet të brengoset se çka kërkon Beogradi.

Duke theksuar se MAPL tashmë ka përgatitur Udhëzimin Administrativ që i hap rrugë peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve, Krasniqi ka thënë se Kosova është përkujdesur për demokracinë.

“Nuk ka asnjë autoritet që mund të kërkojë dorëheqjen, ai është akt moral. Unë kam vazhdueshëm takime me kryetarët e komunave, ata e kanë mbështetur procesin e peticionit dhe ata mendojnë se kjo është demokracia dhe ne duhet të përkujdesemi për demokracinë e jo për dëshirat e kujtdo qoftë. Dorëheqja e kryetarëve është kërkesë e Beogradit, ne nuk jemi këtu që të brengosemi se çka mendon e çka kërkon Beogradi, ne jemi këtu si institucion të përkujdesemi për demokracinë”- tha ai.

Megjithatë, Krasniqi tha se aktualisht nuk ka nisur ndonjë iniciativë për të shfrytëzuar këtë formë për largimin e kryetarëve.

“Ne deri në këtë moment nuk kemi asnjë informacion që është nis ndonjë peticion për largimin e kryetarëve. Kjo është pjesë që ju takon qytetarëve. E rëndësishme ka qenë vullneti i qeverisë që të përmbush obligimet e saj.

Sa i përket kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës, Krasniqi shtoi se Kosova është palë konstruktive në këtë proces.

“Kosova është palë konstruktive në këtë procesi, ne i kemi tashmë dy herë nga 25% të Policisë nga objektet e komunave, e kemi Udhëzimin Administrativ i hap rrugë peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve, këto janë veprime të vullnetit të mirë të Qeverisë”- tha ai.

Në fillim të muajit shtator, Krasniqi ka bërë të ditur se, dikasteri që ai drejton ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni, që i hap rrugë zgjedhjeve në veri.

Sipas këtij dokumenti, secili qytetar apo grup i qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës, në bazë të ligjit dhe në përputhje me këtë udhëzim.

Në këtë dokument theksohet se, mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë të qytetarëve, përderisa ndalohet ushtrimi i çfarëdo presioni apo ndikimi që imponon, kushtëzon apo detyron qytetarët për të nënshkruar pa vullnetin e tyre, apo nënshkrimin në emër të tyre.

Krytarët aktual i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.