Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ tregon a numërohen votat për kandidatët e pacertifikuar

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shpjeguar procesin e evidentimit të të dhënave gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Elezi në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nëse në fletvotimin e mbushur nga qytetarët janë votuar pesë kandidatë për deputet por që njëri nga ta nuk është i certifikuar, atëherë vota për të nuk do të numërohet.

“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartëen vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, tha ai.

Tutje, Elezi ka shtuar se nga anëtarët e Këshillit të Vendvotimeve fillimisht do të numërohen votat për subjektet politike pastaj ato të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre. Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve”, tha Elezi për KALLXO.com

Kosova do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës më 14 shkurt. Përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë personat që janë të dënuar me një vendim të formës së prerë nga Gjykata, në tre vitet e fundit nuk mund të kandidojnë për deputetë.

Dokument – Vendimi i plotë që ia ndalon Albin Kurtit kandidimin për deputet