Valmir Elezi - Zëdhënës i KQZ-së - 21.04.2024

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit në veri janë hapur

Komisioni Qendror Zgjedhor u ka bërë thirrje qytetarëve në katër komunat veriore: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që ta shfrytëzojnë të drejtën për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë “për” apo “kundër” largimit nga funksioni i kryetarit të komunës së tyre.

Kjo thirrje është bërë nëpërmjet zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

Në bazë të të dhënave që kanë pranuar nga Komisionet Komunale, ai tha se të gjitha qendrat e votimit në katër komunat tashmë janë hapur.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit ne këto komuna. Edhe sipas njoftimeve të mëhershme të KQZ-së, numri i qendrave të votimit të komunës së Leposaviqit është 8, në Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut nga 5 sosh. Në përgjithësi numri i qendrave të votimit është 23, me gjithsej 63 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në komunat, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, është, 46 mijë e 556 votues”- njoftoi Elezi.

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Ekipet e KALLXO.com do të raportojnë në kohë reale lidhur me procesin e votimit në këto katër komuna. Në këtë link mund të ndiqni raportimin LIVE të gazetarëve nga terreni.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.