KQZ miraton mënyrën e votimit të personave me COVID-19 dhe të izoluar në zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka miratuar udhëzimin për Regjistrim dhe Votim të Votuesve të cilëve për shkak të infektimit me COVID-19 janë në izolim dhe votuesve të cilëve iu është caktuar masa e vetëizolimit, në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen me 29 nëntor në komunën e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Sekretari i KQZ-së, Burim Ahmetaj bëri të ditur se këtyre personave do t’u mundësohet votimi përmes ekipeve lëvizese që do t’i dërgojë ky dikaster.

Ahmetaj bëri të ditur se janë 450 persona nga jashtë vendit që kanë aplikuar për votim përmes postës. Prej tyre 447 janë për në zgjedhjet në Podujevë dhe 3 në Mitrovicë të Veriut.

Nëpërmjet këtij udhëzuesi, ekipi lëvizës do të përbehet nga katër anëtarë, kryesuesi dhe dy anëtarë janë të emëruar nga KQZ-ja, kurse anëtari i katërt do të jetë një punëtor shëndetësor i caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, në bazë të nenit 5 të këtij udhëzuesi, ekipet lëvizëse duhet të jenë të pajisur me manteli për një përdorim, dorashka për një përdorim, maska mbrojtëse kirugjike standarde për një përdorim, dezinfektues më përmbajtje më së paku 70 për qind alkool.

Para se të votojë, votuesi duhet të bëjë dezinfektimin e duarve. Votuesi duhet të ketë maskën e vendosur dhe dorëzat. Në rast që votuesi nuk i ka, atëherë ekipi lëvizës duhet t’ia ofrojë. Maska largohet vetëm për identifikim kur ofron letërnjoftimin.

Krahas kësaj mbledhje, u miratua edhe akreditimi i vëzhguesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Kurse, për pikën tjetër të rendit të ditës që është hedhja e shortit dhe renditjen në fletëvotim të subjekteve politike për zgjedhjet jashtëzakonshëm është vendosur që të mbahet të enjten.

Zgjedhjet e caktuara të mbahen në mars u shtynë për shkak të përhapjes së pandemisë ndërsa nuk është caktuar një datë tjetër e mbajtjes së tyre.

Kandidatët për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut janë; Lista serbe , Milan Radojeviq, kandidati i pavarur Dushan Milunoviq, Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin Florent Azemi dhe Lëvizja Vetëvendosje me Erdan Atiq.

Kurse postin e të parit të Podujevës synojnë, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi.

Në Komunën e Podujevës zgjedhjet ishin shpallur pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të këtij qyteti, pasi ishte emëruar ministër i Brendshëm në qeverinë e kaluar të udhëhequr nga tashmë ish-kryeministri, Albin Kurti, dhe që prej atëhere Podujeva është pa kryetar komune.

Ndërsa në Mitrovicën e Veriut, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në qeverinë e re të Avdullah Hotit.