Shpallet data për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur 29 nëntorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Sipas njoftimit të Presidencës, Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi.

“Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse”, thuhet tutje.

Podujeva do të shkojë në zgjedhje pasi që ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu kishte kaluar në ekzekutiv si ministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë Kurti, më 4 shkurt.

Këto zgjedhje qenë të parapara të mbahen në mars, por janë shtyrë në afat të pacaktuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndërsa, Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin, ku pjesë e saj është edhe Lista Serbe. Në Qeverinë Hoti, Goran Rakiqi që ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal.