KQZ-ja deklarohet për pezullimin e verifikimit të votave

KALLXO.com ka raportuar sot se në qendrën e verifikimit të votave që kanë arritur me postë për zgjedhjet e 6 tetorit është pezulluar procesi i verifikimit për disa orë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi deklaroi se procesi i shqyrtimit dhe verifikimit është duke vijuar normalisht.

“E kam konfirmuar nga kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, i cili ka thënë se procesi i verifikimit dhe shqyrtimit të aplikacioneve nga jashtë të zarfeve të supozuara me fletëvotime është duke vijuar normalisht. Po besojmë që gjatë ditës se nesërme, në mbledhje do të kemi një raport të detajuar nga shërbimi votues lidhur me procesin e shqyrtimit të këtyre zarfeve të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit nga jashtë vendit”, tha ai.

“Deri më datë 5 tetor shërbimi votues i KQZ-së ka pranuar rreth 16 mijë pako që supozohen me fletëvotime. Pas shqyrtimit dhe verifikimit mund të dimë saktë mund të dimë saktë se sa është numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit, dhe këto do të numërohen në qendrën e votimit, së bashku edhe me fletëvotimet me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta”, shtoi Elezi në një konferencë për media.

Ai shtoi se vendimi i KQZ-së për rinumrin e votave në 314 vendvotime ka ardhur pas gjetjeve në qendren e numrit për shkak të mos përputhjes është dashur të rinumrohet për të gjetur gjendjen reale.

“Për 4-5 ditë do të përfundojmë rinumrin në këto vendvotime. 55 nga 314 vendvotime janë numëruar, 32 prej tyre kemi publikuar në formularët e rezultateve e vendvotimeve për subjektet dhe kandidatët të cilat janë plotësuar pas procesit të rinumrimit”, u shpreh Elezi.

KQZ kishte paralajmëruar mbledhje në orën 14:00, por e cila nuk u mbajt. Sipas Elezit, shtyrja e mbledhjes ka të bëjë për mos përgatitjen e materialeve të nevojshme.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi për pezullimin e verifikimit.

Të gjithë personat që po qëndronin brenda sallës ku po bëhet verifikimi i votave të diasporës për zgjedhjet e 6 tetorit, ishin larguar nga aty.

Skandal – Zarfet me aplikime për viza përfundojnë në thasët me vota të diasporës