KQZ: Deri më tani kemi pranuar peticionin vetëm nga Zubin Potoku

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zubin Potokut është pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai tha se deri më tani peticioni është pranuar vetëm nga Zubin Potoku, ani pse afati për mbledhjen e nënshkrimeve ka përfunduar edhe në Mitrovicë të Veriut e në Leposaviq, përderisa në Zveçan pritet të përfundojë më 27 janar.

“Mund t’ua konfirmoj se deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut” – tha Elezi.

Tutje ai shtoi se KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve për të parë nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse.

Afati për nënshkrimin e peticioneve për inicimin e shkarkimit të kryetarëve të Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut është mbyllur dje. Gjatë ditës komunat pranuan nga grupet iniciuese këto peticione.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potok 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyre komunave, i paraparë në Udhëzimin Administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të plotësohen kushtet për inicimin e largimit të kryetarëve të komunave.

Javën e kaluar ekipi i KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga veriu i vendit për procesin e nënshkrimit të peticioneve.

Serbët lokalë përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, Lulzim Hetemi nga Leposaviqi, Izmir Zeqiri nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani, fituan zgjedhjet e mbajtura më 23 prill të vitit të kaluar.

Proceset e betimit të Pecit, Hetemit e Zeqirit u përcollën me protesta dhe tensione.

Dorëzohet në Komunë peticioni për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut u dorëzuan peticionet për shkarkimin e kryetarëve