Foto: KPK

KPK diskuton me përfaqësuesit e MCC për projekte lidhur me transparencën

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku,  ka pritur në takim Drejtoreshën e Programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Drejtorin Ekzekutiv të Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës, Petrit Selimi.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikatë të lëshuar nga KPK.

Sipas komunikatës qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i  kërkesës për mbështetje në financimin e projekteve, që ndërlidhen me fushën e teknologjisë informative nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës.

“Gjithashtu, me këtë rast, u prezantuan edhe projektet e sistemit prokurorial, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me qasjen e publikut në të dhënat statistikore të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe qasjen e personave të autorizuar në informacionet për lëndët që janë në proces” thuhet tutje.

Në këtë takim përfaqësuesit e Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës, shprehën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për të mbështetur sistemin prokurorial me anë të financimit dhe implementimit të projekteve të teknologjisë informative, sidomos të atyre që ndërlidhen me transparencën publike.

BIRN po ashtu mbështetet me një projekt qe financohet nga MCC.