Kosovarët deri në 18 vjeç duhet të kenë pasaportë për të hyrë në Mal të Zi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të gjithë shtetasit e Kosovës, se për kalimin kufitar në Malin e Zi, edhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare duhet të jenë të pajisur me një dokument të vlefshëm udhëtimi – pasaportë.

Sipas njoftimit të MPJD-së, Mali i Zi ka pezulluar vendimin e mëparshëm në bazë të të cilit fëmijët nën moshën 18-vjeçare nga Republika e Kosovës, janë lejuar të kalojnë kufirin vetëm me certifikatë të lindjes.

“Vendimi për hyrjen në Malin e Zi të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe të miturit, vetëm me dokumente të vlefshme udhëtimi, është tashmë në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në rrjetin social “Facebook”.