Kosova solidariozohet me Ukrainën, Foto: KALLXO.com

Kosova vazhdon mbështetjen financiare për gazetarët nga Ukraina

Qeveria e Kosovës ka vazhduar mbështetjen financiare për gazetarët nga Ukraina në Kosovë.

Kjo u bë e ditur sot në mbledhjen e Qeverisë, në ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se ky vendim do të vlejë ‘deri në ndryshimin e rrethanave në Ukrainë’.

“Sot në ditën e Pavarësisë së Ukrainës ne menduam që është dita më e mire për ta sjell këtu, vendimin për vazhdimin e mbështetjes financiare për gazetarët ukrainas. Ne propozojmë që pika 4 e vendimit të ndryshohet, siç ka qenë deri në gjashtë muaj të ndryshohet, me ‘deri në ndryshimin e rrethanave në Ukrainë’” – tha Gërvalla para kabinetit qeveritar.

Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë. Ishte data 24 shkurt kur në orët e hershme të mëngjesit, filloi sulmi rus, me raketa që ranë mbi objektiva anembanë Ukrainës dhe trupat tokësore u shfaqën në Ukrainë nga tri drejtime.

Kosova ka strehuar disa gazetarë nga Ukraina.

Këta gazetarë tashmë banojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë Kosova” i cili është i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.

Ndërkaq, në gazetaret ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë, sot në nder të shënimit të 31-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës, do të mbajnë një aksion simbolik që ka për qëllim të nderojë popullin ukrainas për rezistencën e treguar në më shumë se 80 ditë për të mbrojtur qytetin e Mariupolit.