Kosova po mbushet me qytetarë të Bangladeshit, asnjë termin i lirë për viza
Edhe pse shumë larg me kilometra, punëtorët aziatikë, posaçërisht qytetarë nga Bangladeshi ia kanë mësyer me të madhe Kosovës për të punuar në sektorin privat, sa që nuk po arrijnë të procedohen aplikimet që nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti.
KALLXO.com ka pranuar disa komunikime ndërmjet qytetarëve të interesuar dhe Ambasadës së Kosovës në Bangladesh, ku këta të fundit janë përgjigjur se janë detyruar të shtyjnë fillimin e marrjes së aplikimeve të reja për viza punësimi për kategorinë “D’’ deri në mars.
Komunikimi mes Ambasadës dhe aplikuesit.“Ne parashikojmë që në fillim të marsit të fillojmë me procedurën e re të vizave duke përfshirë listën e dokumenteve të reja dhe udhëzimet e reja”- shkruan në përgjigjen që ia ka kthyer Ambasada një ndërmarrësi të interesuar nga Kosova që të punësojë punëtorë nga Bangladeshi.
Të njëjtit aplikues, në nëntor Ambasada fillimisht i kishte kthyer përgjigje që nuk mund t’ia pranojë kërkesën për termin për aplikim pune, pasi që Ambasada nuk ka termine të lira deri mbas 25 janarit.
Bazuar në përgjigjen e Ambasadës, ata kishin thënë që në fillim të janarit do të lëshojnë një njoftim të ri me procedura të reja, më efikase dhe më të shpejta aplikimi, të cilat do të përmisiojnë procedurën e aplikimit dhe dukshëm të shkurtojnë kohën e përgjigjeve.
Megjithatë, një gjë e tillë akoma nuk është publikuar në faqen e misionit diplomatik në Bangladesh.
E, as vetë ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me këtë çështje, pavarësisht këmbënguljes.
Viza e tipit “D” është afatgjatë. Këto viza kërkohen për qëndrime që tejkalojnë periudhën tre mujore. Mes të tjerëve për këtë vizë mund të aplikojë një punonjës që do të punojë në një biznes në Kosovë ose për punësim sezonal.
Viteve të fundit nën arsyetimin se ka mungesë të fuqisë punëtore në sektorin privat ka nisur ky trend i punësimit të qytetarëve nga Azia Jugore.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në tetor të vitit të kaluar kishte thënë që deri më tani në Kosovë kanë ardhur rreth 500 punëtorë nga Bangladeshi, të cilët Kosovën po e shohin si pikë tranzicioni për ikje në perëndim.
“Në Kosovë kemi treg të çrregulluar, punëtorët tani po zgjedhin. Nuk është koha kur pronarët e kompanive kanë thënë se nëse dëshiron të punosh mirë, nëse jo tjetri është duke pritur te dera… Këta (punëtorët nga Bangladeshi) nuk vijnë për të punuar, por Kosovën e shohin si pikë tranzicioni për ikje në perëndim”- është shprehur Azemi.
Nga mesi i muajit dhjetor Kosova nuk ka ambasador në Daka, pasi që të kaluarit Guner Uryea i ka përfunduar mandati.
Pak para se të kryej mandatin, në një takim me kryeministren Sheikh Hasina u tha se Bangladeshi dhe Kosova mund të rrisin tregtinë dypalëshe për përfitime reciproke, raportojnë mediat e Bangladeshit.
Sipas mediave kryesore në Bangladesh, ish-ambasadori Ureya përgjatë takimit të tij kishte thënë se 19,000 punëtorë nga Bangladeshi po punojnë në Kosovë.
Në vitin 2020, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë së Republikës Popullore të Bangladeshit.
“Ne jemi të bindur se kjo marrëveshje do të kontribuoj në rritjen ekonomike. Në tregti, bujqësi, sport, teknologji e në fusha të tjera. Kjo marrëveshje do të rrisë investimet në vendet reciproke”- kishte thënë atëkohë Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi.
Bangladeshi e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur më 27 shkurt 2017. Një vit më vonë në të njëjtën datë, Përfaqësuesi i Përhershëm i Kosovës dhe i Bangladeshit në Kombet e Bashkuara nënshkroi një traktat për vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike.
Plotësimi i artikullit:
Dy ditë pas publikimit të artikullit, Ministria e Punëve të Jashtme, përmes këshilltarit të ministres Gërvalla, Leutrim Sahiti ka kthyer përgjigjet në pyetjet që KALLXO.com i kishte shkruar më shumë se 1 javë më parë.
Në përgjigjeje ata njoftojnë se deklarata e ish-ambasadorit Guner Uryea ishe keq cituar nga mediat në Bangaldesh dhe se nuk bëhet fjalë për 19 mijë bengalë, por 1 mijë e 900.
“Sipas deklarimit të z. Urea, në raportimin e mediave, të cilave ju keni referuar duket se është përvjedhur një gabim teknik dhe si rrjedhim, deklarata e ish-Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bangladesh, z. Guner Urea, është keqcituar” – thuhet në përgjigjen e MPJ-së tek më 20 janar.
“…Deri më tani janë lëshuar rreth 700 viza pune dhe ky numër pritet të rritet në afërsisht 1900…”, ishte shprehur në deklaratën e tij, ish-Ambasadori Urea dhe ai nuk ka përmendur shifrën e raportuar nga mediat.” – kanë thënë tutje nga MPJ.
Shënim: Artikulli është edituar më 20.01.2024, ora 13:35. Artikullit iu është shtuar deklarata e MPJ për numrin e qytetarëve të Bangladeshit që kanë marrë viza për Kosovë. Kallxo.com ka cituar disa prej mediave kryesore të Bangladeshit për deklaratën ish-ambasadorit. Kallxo.com që nga 10 janari i kishte shkruar ambasadës së Kosovës në Bangaldesh dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme por ato nuk kanë kthyer përgjigje.