Konzorciumi ‘Orllati’ fitues i ankandit të ankandit të parë solar me çmim për 48.88€ MW/h | Foto: ZKM

Konzorciumi ‘Orllati’ fitues i ankandit të ankandit të parë solar me çmim për 48.88€ MW/h

Konzorciumi “Orllati” bashkë me kompani nga Gjermania dhe Kosova janë shpallur fitues të ankandit elektronik diellor prej 100 megavatësh.

Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook tha se ankandi kishin nisur me çmimin tavan prej 75 euro për MWh, duke u ulur në fund në 48.88 euro.

“Me 48.88€/MWh, konzorciumi “Orllati” nga mërgata jonë në Zvicër, bashkë me kompani nga Gjermania dhe Kosova, u shpallën fitues të ankandit elektronik. Ankandi ynë i parë diellor prej 100 megavatësh, ka filluar me çmimin tavan 75 €/MWh. Gjatë procesit të ofertimit, kompanitë kanë ulur çmimin në 70 €/MWh dhe sot, procesi u përmbyll me çmim 48.88 €/MWh”- ka shkruar kryeministri Kurti në Fcebook.

Në ankandin elektronik kompanitë kanë ofertuar kundër ofertës më të lirë dhe përgjatë procesit të ofertimit kanë qenë katër sesione. Sesioni i parë ka qenë me 43 bida me çmim përmbyllës 57.00 euro, sesioni i dytë ka përfunduar me 35 bida dhe me çmim permbyllës 49.89 euro, sesioni i tretë ka numëruar 20 bida me çmim përmbyllës 48.88 euro, ndërkaq sesioni i katër ka përcaktuar fituesin me çmim përmbyllës 48.88 euro euro/MË h, ku fitues u shpall Konzorciumi Orllati.

Kryeministri Kurti tha se me shtimin e 100 MË të rinj në prodhimin e energjisë, do të ulet varësia nga importi, e për realizimin e këtyre kapaciteteve kompania që do të dalë fituese do të investojë mbi 70 milionë euro, me çka e bën një ndër parqet solare më të mëdha në Evropë.

Në vitin 2020, KALLXO.com publikoi hulumtimin “Monopoli me dritë të Diellit – ZRRE dhe Devolli”, që shpërfaqte se si përmes kompanive të regjistruara në Maltë synohej të merreshin tarifa nxitëse për prodhim të energjisë solare (diellore).

Tarifa nxitëse ishte 85.5 euro MW/h. Pas publikimit të hulumtimit, vendimi i ZRRE-së ishte anuluar dhe ishte vendosur që përkrahja e energjisë së pastër të bëhet përmes ankandit.

Katër vjet më vonë, Qeveria e Kosovës ka pranuar ofertën në ankand për vetëm 48.88 € MW/h, duke rënë kështu për 36.62 euro.

Shënim: Është edituar çmimi i tarifës nxitëse bazuar në vendimin e vitit 2019, që ishte 85.5 euro/MWh.