Konkursi i fundit ishte mbajtur në vitin 2004, Ortoprotetika punëson 8 teknikë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se tashmë ka kompletuar stafin e shërbimit të Ortoprotetikës në bazë të nevojës që kanë pasur.

Sipas ShSKUK-së, në këtë shërbim, në konkursin e fundit të vitit 2004 ishte pranuar vetëm një person kurse që nga ajo kohë nuk kishte asnjë të punësuar të ri.

“Sipas kërkesës së Ortoprotetikës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka pranuar 8 teknikë për të mbuluar të gjitha pozitat vakante dhe me qëllim që pritjet të reduktohen e cilësia e shërbimeve mjekësore të rritet”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Gjithashtu, ky institucion ka bërë të ditur se ka furnizuar Ortoprotetikën me material shpenzues për tërë vitin.

Ky shërbimi merret me prodhimin e protezave të gjymtyrëve të poshtme, prodhimin e ortozave të ndryshme (mjet ortopedik që siguron korrigjimin e deformitetit në mbështetje të humbjes së funksionit të këmbës apo dorës) korsetave për rregullimin e deformimeve të shtyllës kurrizore dhe këpucë ortopedike, gjersa trajton të gjithë pacientët me aftësi të kufizuara, pa dallim moshe.