Vdes një i burgosur në ShSKUK, vuante nga sëmundje kronike

Një i burgosur ka vdekur sot në Klinikën e Neurologjisë të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, R.S i lindur në 1959, nga pranimi i tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, për shkaqe shëndetësore është transferuar për në Stacionarin e Burgut të Dubravës, e që për shkak të gjendjes së tij jo të mirë ka qëndruar tërë kohën.

“Më 01.03.2023, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, nga mjeku kujdestar udhëzohet për vizitë mjekësore urgjente në Spiralin  Rajonal të Pejës, ku edhe hospitalizohet në Repartin e Neurologjisë”- njofton SHKK.

SHKK thotë se të njëjtën ditë, R.S është transferuar në ShSKUK për trajtim të mëtutjeshëm, por përkundër përpjekjeve të stafit të Klinikës së Neurologjisë,  bazuar në gjendjen e tij të përgjithshme si pasojë e sëmundjeve kronike dhe komplikimeve që kishte, i njëjti ka vdekur.

Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.