Konjufca takoi presidentin e Maltës, i kërkon mbështetje për heqjen e vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim presidentin e Maltës, George Vella, i cili po qëndron për vizitë zyrtare me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.

Në takim, përveç çështjeve tjera, thuhet u bisedua për raportet dypalëshe dhe proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe u shkëmbyen mendime për zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në rajon e më gjerë.

“Malta, tha Kryetari Konjufca, është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës  por edhe për përkrahjen e palëkundur drejt të ardhmes në BE dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare” – thuhet në njoftimin për media të Kuvendit.

Po ashtu thuhet se duke kërkuar nga Malta vazhdimin e mbështetjes për agjendën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, Kryetari Konjufca nënvizoi se qytetarët tanë janë të vetmit në Evropë të cilët ende nuk mund ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë.

Pasi e falënderoi Kryetarin Konjufca për mikpritjen, Presidenti George Vella thuhet se shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe fuqizimin e partneritetit dypalësh, si dhe ritheksoi përkushtimin për të qëndruar përkrah Republikës së Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian.

Vella: Malta e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së