Konjufca nga Krusha e Madhe: Kosova i ka tri plagë të hapura

U.d. Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

Konjufca tha se ka ardhur për t’i nderuar viktimat dhe të rënët e masakrës nga më të rëndat që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës për çlirim në vitin 1999.

Konjufca tha se Kosova i ka tri plagë të hapura të popullit të saj.

“Plaga e parë është vetë masakra që ka ndodh në Krushë. Krushjanët e kanë përjetuar tmerrin në një masakër e cila ka lënë qindra e qindra të vdekur. E dyta është se këtu ka edhe varreza të zbrazta që na kujton që Serbia i ka rrëmbyer më të dashurit tanë e familjarët tanë dhe nuk i ka kthyer kurrë fati i tyre ende nuk është zbardhur. Plaga e tretë është drejtësia e munguar. Nuk ka pas drejtësi kurr për familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre”, tha Konjufca.

Konjufca tha se familjarët tash e 22 vite jetojnë për çdo ditë me peshën e vuajtjen e rëndë për fatin e pa zbardhur të familjarëve të tyre. Ndër ta Konjufca e ka përmendur edhe zhdukjen e Ukshin Hotit për të cilin sipas tij nuk dihet ku është.

“Institucionet duhet të bëjnë më shumë duke përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit. Unë zotohem që do të bëjë gjithçka që është e mundur dhe nuk do të ndalem kurrë që jo vetëm ta ngrit zërin për këto tema, por duhet edhe punë konkrete jo vetëm të deklarohemi për këtë çështje”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës Qeveria ka premtuar që do t’ia bëjë një padi për gjenocid shtetit të Serbisë. Ndërsa për fazat e tjera Konjufca tha se do të jenë të përgatitur të kërkojnë të drejtat e tyre duke fillu prej dialogut.