Konjufca e njofton homologun gjerman për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës Glauk Konjufca, ka bëtë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij gjerman, Heiko Mass.

Konjufca përmes një postimi në facebook ka njoftuar se me homologun përpos përpalljes me pandeminë COVID-19 kanë diskutuar edhe për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet si dhe procesin e Berlinit dhe për raportet me vendet e rajonit.

“Ndër të tjera e kam informuar ministrin gjerman për heqjen e taksës 100 për qind dhe për aplikimin e reciprocitetit ndaj Serbisë. Natyrisht që gjatë kësaj bisede telefonike kemi folur edhe për marrëdhëniet në mes të dy shteteve tona dhe sigurisht që si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës kam kërkuar që të na mbështesin në procesin për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca në facebook.

Konjufca ka thënë se i ka shprehur mirënjohje ministrit Mass duke shtuar se Kosova i gëzohet faktit që Gjermania e merr udhëheqjen e radhës të BE-së në korrik.

Më 1 prill të këtij viti, Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Mospajtimet për heqjen e kësaj tarife ishin bërë shkas që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të inicionte mocionin e mobesimit ndaj qeverisë Kurti.

Përderisa BE kishte përshëndetur vendimin e qeverisë së Kosovës, SHBA-të kishin kërkuar largimin e plotë duke mos krijuar barriera të tjera.