Kongresmeni amerikan i shkruan sërish presidentit Biden, i kërkon që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s

Kongresmeni amerikan, nga demokratët, Ritchie Torres, ka kërkuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, që të dyfishojnë përpjekjet që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Torres përmes një postimi në Twitter e ka cilësuar Kosovën si një aleat të fortë të ShBA-së.

“Ne duhet të qëndrojmë me aleatin tonë (Kosovën) në mes të krizës së vazhdueshme të sigurisë në rajon”, ka thënë ai.

Torres i ka dërguar një letër presidentit Biden dhe sekretarit Blinken këtë të premte, raporton New York Post.

Sipas këtij mediumi, në këtë letër Torres ka thënë se përderisa Serbia forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, ShBA-të duhet të ndihmojmë Kosovën për t’iu bashkuar NATO-s.

“Përderisa Rusia vazhdon të sillet si një aktor irracional dhe Serbia forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, është kritike që ne të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën për t’iu bashkuar NATO-s. Me situatën me zhvillim të shpejtë të sigurisë në Evropë, ne duhet të qëndrojmë me aleatin tonë”, thuhet se është shprehur Torres.

Tutje është thënë se ai ka përmendur se më 27 shkurt, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë një thirrje për “të përshpejtuar” anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe se më 3 mars, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën i ka bërë thirrje qeverisë që të fillojë negociatat për anëtarësimin në NATO.

Kongresisti amerikan Torres: Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk ka qenë kurrë më urgjent