Foto: Elissa Slotkin, Facebook

Kongresistja amerikane: Shtimi i forcave të NATO-s në Kosovë - mesazh për Serbinë

Kongresistja amerikane, Elissa Slotkin, ka thënë se shtimi i forcave të NATO-s në Kosovë ka pasur për qëllim t’i dërgojë mesazh Serbisë për tërheqje të trupave nga kufiri me Kosovën.

“Vendosja e forcave shtesë të NATO-s në Kosovë kishte për qëllim t’i dërgonte një mesazh Serbisë – tërhiqni trupat tuaja nga kufiri i Kosovës. Provokimet e Serbisë janë një tendosje për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për popullatën shqiptare me lidhje të forta me Miçiganin” – ka shkruar Slotkin në rrjetin social X.

200 trupa shtesë të Britanisë së Madhe do t’i bashkohen misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas situatës që u krijua javën e kaluar në veri të vendit, ku një grup terrorist kreu sulm mbi Policinë e Kosovës, sulm në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos një polic tjetër.

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se forcat e saj shtesë dërgohen pas një kërkese që erdhi nga NATO.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Serbia që të tërheqë të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën duke thënë se lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tri drejtime të ndryshme.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se numri i forcave serbe në terren po zvogëlohej dhe se paralajmërimet e Uashingtonit kanë qenë joproporcionale.

Këtë ai e tha pasi që Shtëpia e Bardhë ishte shprehur e shqetësuar për dislokimin e ushtrisë serbe afër kufirit dhe e ka quajtur atë zhvillim shumë destabilizues, duke i bërë Serbisë thirrje për tërheqjen e këtyre forcave.