Konfiskohen 59 makina për kriptovaluta në Mitrovicën Veriore
Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë kontrolluar dy shtëpi në Mitrovicën Veriore në të cilat janë gjetur makina për kriptovaluta.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Veton Elshani ka thënë për KALLXO.com se janë konfrikuar 59 makina të tilla.
Ai tha se zyrtarët policor këtë informacion e pranuan nga qytetarët dhe menjëherë filluan me angazhimet e nevojshme policore.
“Sot pas pranimit të informacioneve nga qytetarët, policia ka ndërhy në dy shtëpi në Mitrovicën Veriore dhe ka konfiskuar 59 makina për mihjen e kriptovalutave” – tha Elshani.
Tutje ai tha se kontrolli në shtëpitë që gjenden në rrugën “Çeta e Minatorëve” janë kryer në orët e paradites së sotme.
Po ashtu, Elshani tregoi se Dogana e Kosovës i ka pranuar makinat, marr parasysh se kjo është kundërvajtje doganore.
Elshani theksoi se nga ky rast nuk ka të arrestuar.