Ilustrim

Komunat po blejnë zhavorr e rërë që nxirret ilegalisht nga lumenjtë e Kosovës

Kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Fatmir Gërguri, ka zbuluar se komunat në Kosovë furnizohen me zhavorr që është i nxjerrë ilegalisht nëpër lumenjtë e Kosovës.

Ai këtë informacion e dha në debatin “Jeta në Komunë”, në të cilin u diskutua për kontaminimin e lumenjve.

“Zhavorri dhe rëra që nxirren ilegalisht nga kompanitë në lumenjtë tonë, nuk përdorët për asfalt, por përdoret shumë në ndërtimtari. Komunat e përdorin shumë. Komuna e Prishtinës jo, por Prizreni, Gjakova. Këto blejnë zhavorr që nxirret ilegalisht”, tha Gërguri.

Sipas Gërgurit, kompanitë nuk ofrojnë asnjë të dhënë për prejardhjen e materialit dhe sipas tij, as institucionet që e blejnë nuk e kërkojnë atë.

“Unë luftoj çdo ditë me këta njerëz, luftoj çdo ditë me ministri. Asnjëherë nuk specifikohet prejardhja e materialit, që është shumë domethënës. Nuk e lypin as institucionet”

 

KALLXO.com ka analizuar projektbuxhetin e vitit 2021 dhe ka gjetur se janë ndarë më pak se 10 milionë euro për ndërtimin e 12 impianteve të ujërave të zeza.

Kosova është njëri nga vendet e Ballkanit me më së paku burime të ujit të pijshëm.

Të ftuar në debat për të diskutuar për kontaminimin e Lumenjve janë: Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, shef i departamentit të ujërave, Diana Metushi Krasniqi, nga KDI, Seniha Bajraktari, Zyrtare e lartë për mjedis në Komunën e Prishtinës dhe Fatmir Gërguri, Kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.