Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarve për mashtrimin e gjermanëve me ‘llotarinë’

Nëntë të akuzuarit për mashtrim të qytetarëve të Gjermanisë, janë deklaruar rreth fajësisë në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës.

Të akuzuarve Admir Kodra, Fatmir Gërguri, Hakif Krasniqi, Ekrem Zuçaku, Albion Sokoli, Qëndrim Kelmendi, Haxhere Berisha, Leutrim Bukoshi dhe Lumbardh Bukoshit, iu lexua aktakuza nga prokurori i rastit. Nëntë të akuzuarit për mashtrim të qytetarëve të Gjermanisë, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Kryetari i Trupit Gjykues, Arben Hoti, e veçoi procedurën për të akuzuarin Korab Bajraj, ngase kishte probleme shëndetësore dhe nuk dihej se kur mund të paraqitet në gjykatë.

Prokuroria e Prishtinës në muajin gusht të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj: Admir Kodra, Fatmir Gërguri, Korab Bajraj, Hakif Krasniqi, Ekrem Zuçaku, Albion Sokoli, Qendrim Kelmendi, Haxhere Berisha, Leutrim Bukoshi, Lumbardh Bukoshi.

Ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale të mashtrimit përmes telefonatave që i kanë bërë në gjuhën gjermane.

Këto telefonata, prokuroria pretendon se ata ia kanë bërë shtetasve gjerman duke ju paraqitur me emra të rremë dhe duke ju thënë se kinse ‘kanë fituar llotarinë’.

Dosja e prokurorisë thotë se të akuzuarit i kanë obliguar shtetasit gjerman që në emër të shpenzimeve paraprakisht të dërgojnë shuma të ndryshme të parave përmes Moneygram, WesternUnion, Capital-Ria dhe Vllesa-Ria.

Po ashtu sipas prokurorisë shtetasit gjerman u obliguan nga të akuzuarit të blejnë edhe kupona të Amazon-it dhe kodet e tyre të ia dërgojnë të akuzuarve. Sipas dosjes të akuzuarit këta kupona i shfrytëzuan për blerje personale online.

Në këtë mënyrë sipas prokurorisë të akuzuarit kanë përfituar në vlerë të përgjithshme së paku 128,328.00 euro.

Mashtrimin prokuroria pretendon se të akuzuarit e kishin kryer edhe me ndihmën e bashkëkryerësve të tjerë në Gjermani.