Zvogëlohet numri i përdoruesve të qymyrit në kryeqytet, por vazhdon shitja ilegale e tij

Me të filluar sezoni i dimrit, edhe ndotja e ajrit në masë më të madhe është e dukshme.

Faktor kryesor në ndotje shihet të jetë edhe përdorimi i qymyrit nga ana e qytetarëve në vendin tonë, edhe pse bazuar në të dhënat e hulumtimit të realizuar në kuadër të projektit “Zhvillimi i kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit në Republikën e Kosovës”, numri i përdoruesve të qymyrit në vendin tonë po shënon ulje.

Përdorimi i qymyrit për ngrohje nga qytetarët

Në bazë të këtyre statistikave, në komunën e Prishtinës vetëm 3% e qytetarëve përdorin qymyrin për ngrohje, ndërsa në Komunën e Obiliqit për dallim nga komuna e Prishtinës, numri i përdoruesve është më i madh, pasi që qymyrin përdorin rreth 50% e ekonomive familjare.

Ndërsa, në komunën e Fushë Kosovës, 11% e ekonomive familjare e përdorin qymyrin për ngrohje.

Në bazë të hulumtimit, dhe bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë së Kosovës për vitin 2011, në nivel te Kosovës rreth 10% të ekonomive familjare përdorin thëngjillin për ngrohje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit bëjnë të ditur se qymyri merr pjesë 1% të totalit të konsumit.

“Në bazë të të dhënave nga Bilanci i Energjisë i realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thëngjilli merr pjesë në rreth 1% të totalit të konsumit të energjisë (jo vetëm ngrohje, por edhe nevoja tjera) në sektorin e amvisërisë”, thuhet në përgjigjen e MEA-së.

KALLXO.com ka provuar që të marr përgjigje nga ana e qytetarëve në kryeqytet nëse përdorin qymyrin për ngrohje, por shumica prej tyre kanë refuzuar të përgjigjen.

Por ka të tillë që janë bindur se përdorimi i drunjtëve për djegie është më pak i dëmshëm sesa përdorimi i qymyrit.

Një qytetar në kryeqytet, i cili ka dashur që të mbetet animon, i ka thënë KALLXO.com se vetëm një herë ka përdorur qymyr për ngrohje.

“Veç dru përdorim për ngrohje, qymyr kam përdor vetëm një herë para disa viteve dhe kurr nuk kam përdor më. Era i vjen shumë e keqe. Më mirë është me i pagu disa metra më shumë me dru sesa me përdor qymyrin”, thotë qytetari.

Ndërsa, një qytetar tjetër, po ashtu në kushtet anonimiteti, i cili punon si taksist në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se tash e disa vite përdor dru për ngrohje.

“Përpara kam përdor qymyr, por tash përdori dru, po përpara ka qenë më ndryshe se ndotja nuk ka qenë kaq e madhe, nuk ka pas kaq shumë qarkullim, edhe qymyri ka qenë tjetër”, thotë qytetari.

Ai tregon se pse ka përdorur qymyrin si burim për ngrohje para disa viteve.

“Po e kam përdor shumë vite më herët se qymyri ka qenë më lirë se drunjtë, po tash përdori drunj. Është mirë mos me përdor se po shkakton shumë ndotje”, thotë qytetari.

Shitja ilegale e qymyrit vazhdon edhe më 2020-ën

Ndoshta përdorimi i qymyrit nga ana e qytetarëve është duke shënuar ulje, por shitja ilegale e tij vazhdon të jetë prezente në rrugët e kryeqytetit, përkundër faktit se të shesë qymyr dikush, duhet të ketë licencë të shfrytëzimit.

 

FOTO KALLXO – Shitja ilegale e qymyrit në Prishtinë – Nëntor 2020

Licencat e shfrytëzimit përpos KEK-ut, nuk ka askush tjetër, dhe kjo nënkupton që nuk ka të drejtë askush tjetër që të eksploatojë dhe shes qymyr nëse nuk ka licencë të shfrytëzimit.

Vendi i njohur si “Xhamia e Llapit”, në Prishtinë, njihet si lokacion i shitësve ilegal të qymyrit, të cilët me kamionët e tyre presin gjatë gjithë ditës që të shesin qymyr.

Pse e bëjnë këtë punë, dhe prej ku e marrin qymyrin të cilin dalin dhe e shesin, ata nuk pranojnë të flasin, nga frika se inspeksioni apo policia mund t’i dënojë ata për shitje ilegale të qymyrit.

Në kamionët e shitësve të qymyrit, ata kanë vendosur edhe numrat e tyre kontaktues.

FOTO KALLXO – Shitja ilegale e qymyrit në Prishtinë – Nëntor 2020

KALLXO.com ka provuar të flas me shitësit e qymyrit, por të njëjtit nuk kanë pranuar, prandaj kontaktuam përmes telefonit me njërin nga shitësit e qymyrit, duke u prezantuar si qytetar të interesuar për blerje të qymyrit.

Shitja e tij bëhet me kamion ose me thasë, ndërsa çmimi nuk ndryshon, por për të gjithë qytetarët është i njëjtë.

“A po don me ble me kamion a me thasë, thesi është 2 euro, e kamioni 120”, thotë njëri nga shitësit e qymyrit i cili është kontaktuar nga KALLXO.com.

Shitësi garanton blerësin edhe për cilësinë e qymyrit.

“Qymyrin e marr në Balloqefc, është i KEK-ut, të sigurt e ki për me djeg. Nëse je në Prishtinë ta bi në shtëpi”, thotë shitësi.

Sipas Ministrisë, shitja e qymyrit, tjetërsimi dhe përdorimi për amvisëri ose biznes në bazë të vendimit obligon inspektoratët dhe Policinë e Kosovës  që të ndërmarrin masat e nevojshme, dhe qymyri të konfiskohet sipas vendimit në fuqi.

Konfiskimet e qymyrit ilegal nga KPMM        

Ndërsa sipas Komisionit të Pavarur Miniera dhe Minerale, mënyra e dënimit për shitësit ilegalë që variojnë nga gjobat dhe konfiskimi i qymyrit.

KPMM ka thënë për KALLXO.com se përkundër fakti se shitja e qymyrit nuk është në domenin e tyre, ata janë marrë me këto raste.

Kryeinspektori i KPMM-së, Fatmir Gërguri ka bërë të ditur për KALLXO.com se në bashkëpunim me inspektorët e tjerë kanë bërë identifikimin e prejardhjes së qymyrit i cili shitet ilegalisht.

“Shitja e qymyrit në tregjet e Republikës së Kosovës nuk bije mbi domenin tonë, por se personalisht dhe me inspektoratin jemi marrë me identifikimin e prejardhjes dhe sekuestrimin e tij atëherë kur është verifikuar se qymyri është i nxjerrë ilegalisht”, ka thënë Gërguri për KALLXO.com

Gërguri ka bërë të ditur se inspektorati i KPMM-së në vazhdimësi bën inspektimin në vendshfrytëzime ilegale të qymyrit, por sipas tij obligim parësor mbetet që inspektoratet komunale të mbikçyrin dhe të i ftojnë atëherë kur haset në shfrytëzime ilegale.

“Kemi bashkëpunim me inspektoratet komunale, por se mungon aktiviteti i tyre në terren sidomos i inspektorëve në Vushtrri”, thotë Gërguri.

Inspektimet e KPMM-së për shitjen ilegale të qymyrit janë të vazhdueshme. Sipas Gërgurit, gjatë vitit 2018 janë konfiskuar 14 kamioneta me qymyr, ndërsa në vitin 2019 – 13 sosh.

Për vitit 2020, KPMM ka bërë të ditur se pritet shumë shpejtë që të filloj inspektimet, ndërsa deri më tani sekuestrime ka nga inspektorët e Kuvendit Komunal të Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Vendet ku shitësit e qymyrit dhe qytetarët furnizohen në mënyrë ilegale janë të evidentuara edhe nga KPMM.

“Zonat e evidentuara të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të qymyreve janë Sibovci në Obiliq, zonë kjo e kontrolluar tashmë nga PK –stacioni i Obiliqit, dhe pothuajse është e ndaluar tërsisht, rrethina e Vushtrrisë, fshatrat Zhilivoda dhe Strovci në të cilët operatorët dhe tregtarët janë të njohur për Policinë e Kosovës, dhe Polaci në Skenderaj, zonë kjo në të cilën ka aktivitet gati të shuar të nxjerrjes, por ekziston seperacioni ilegal i qymyrit për të cilin është bërë raport njoftimi se nuk guxon të ekzistoj”, thotë Gërguri për KALLXO.com.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për KALLXO.com ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë për këtë vit ndonjë plan për veprim ndaj shitjes së qymyrit dhe përdorimit të tij në vendin tonë, por sipas ministrisë vendime e deritanishme mbesin në fuqi.

“Vendimet të cilat janë në fuqi mbeten deri në vendim tjetër dhe rrjedhimisht kësaj do të veprohet komfor tyre”, thuhet në përgjigjen e MEA-së.

Vitin e kaluar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e qymyrit si dhuratë për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kjo masë ishte ndërmarrë me qëllim të parandalimit të ndotjes së ajrit, gjë që ka ndikuar edhe në uljen e numrit të përdoruesve të qymyrit.

Vendim tjetër që është marr për parandalimin e ndotjes së ajrit, ishte edhe ndalimi i qymyrit për punëtorët e KEK-ut.

Për disa vite radhazi KEK ka pasur traditë dhurimin e mesatarisht 10 tonëve qymyr për 4 mijë e 500 punëtorë.

Gjatë muajit gusht të vitit 2018, Ministria e Arsimit kishte ndaluar përdorimin e qymyrit për ngrohje në të gjitha shkollat e Kosovës me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit dhe mbrojtjes së ambientit.

Tre muaj pas këtij vendimit, Qeveria e Kosovës me kërkesë të Ministrit të Ambientit ka marr vendim të ndaloj në të gjitha institucionet publike qendrore  e lokale përdorimin e qymyrit për ngrohje.

Emisioni Jeta në Kosovë vitin e kaluar kishte transmetuar reportazh për shitjen ilegale të qymyrit në vendin tonë.

 

 

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.