Ilustrim

Pse nuk vepron Prokuroria e Shtetit ndaj keqpërdoruesve që eksploatojnë zhavorr?

Lumi i cili kalon nëpër territoret e dy komunave, Kamenicës dhe Ranillugut, është dëmtuar aq shumë nga keqpërdoruesit e eksploatimit të zhavorrit sa nuk mund të riparohet.

Kështu ka vlerësuar ish-kryeinspektori i minierave dhe eksperti i mjedisit, Fatmir Gërguri.

Ai ka thënë se për degradimin e lumit dhe ambientit në atë zonë janë njoftuar nga vetë banorët.

“Ne jemi të njohur me këto ngjarje, Kamenica me rrethinë, ku bën pjesë edhe Ranillugu, ka probleme dhe neve na kanë njoftu qytetarët për krejt ato probleme. Bizneset që eksploatojnë zhavorr janë shqiptare, ato e bëjnë kryesisht për nevoja të biznesit. Banorët e asaj rrethine i kanë shitur tokat, ata nuk kanë të drejtë me i ble, kur merret zhavorri dëmtohet shtrati i lumit, por edhe arat që janë afër, atje ka shumë degradim, pra prej Ranillugut deri në Kamenicë”, deklaroi Gërguri në “Kallxo Përnime”.

Përkundër degradimit, intervenimi i shtetit, përkatësisht Prokurorisë së Shtetit nuk ka qenë efektiv. Sipas Gërgurit, vetëm në një rast është bërë konfiskimi i mjeteve të një kompanie, por edhe në atë rast, kompania ka nisur eksploatimin e zhavorrit me të njëjtat mjete të konfiskuara.

“Ne kemi pas bashkëpunim të mirëfilltë me prokurorët mirëpo asnjëherë nuk ka shkuar lënda deri në fund si duhet. Aktakuza ka pasë, një sekuestrim ka ndodh por pas një jave i njëjti biznes prapë ka nisë të punojë, me të njëjtat mjete”, tha ai.

Fatmir Gerguri, Ekspert i mjedisit dhe ish- kryeinspektor i minierave. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai ka thënë se shtrati i lumit që përshkon dy territoret e komunave, Kamenicë e Ranillug, është i pariparueshëm.

“Aktualisht shtrati i lumit që kalon nga Ranillugu e në Kamenicë është i pariparueshëm, me gjendjen që e ka. Aty ku ka rërë dhe zhavorr, nuk ka lumë të paprekur nga keqpërdoruesit. Gjendja më e keqe është në Gjakovë, Pejë, Kamenicë e në rrethinë të Gjilanit”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Naser Korça, ka thënë se inspektorët në vazhdimësi bëjnë inspektime dhe gjobisin subjektet që eksploatojnë zhavorr.

“Në territorin e komunës së Gjilanit inspektorët kanë dalë vazhdimisht në terren dhe kanë shqiptu gjoba, sigurisht që i paguajnë ose përmes gjykatës ose në forma të tjera, por gjoba është shumë e vogël në krahasim me fitimin që e nxjerrin prej eksploatimit të zhavorrit”, ka thënë Korça.

Ai ka folur edhe për ndotjen e ambientet nga gurthyesit në rajonin e Anamoravës.

“Në territorin e Gjilanit e kemi vetëm një gurthyes, por ambientin na ndotin më shumë ata që janë në territor të Novobërdës, nuk kanë fare kontroll të ndotjes së ajrit, sidomos fshati Stanishor, nuk e di si mund të jetojnë ata njerëz atje”, tha ai në “Kallxo Përnime”.

Naser Korça nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Gjilan. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Një problem i vazhdueshëm për ambientin në Kosovë janë edhe ujërat e zeza, të cilat në shumicën e komunave të vendit derdhen nëpër lumenj.

Por, në Gjilan së fundmi është duke u punuar në një projekt për përpunimin e tyre.

Drejtori i Shërbimeve Publike tha se komuna ka marrë një kredi prej 26 milionë eurove dhe në vitet e ardhshme pritet që të zgjidhet problemi i ujërave të zeza.

“Komuna e Gjilanit e ka fituar një kredi prej 26 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujerave të zeza ku do të trajtohen ujerat e zeza të Gjilanit e Vitisë. Ne jemi në proces që ta bëjmë një zgjidhje për ujërat e zeza, tani jemi në proces të vlerësimit të pronave, gjatë këtij viti mund të nisin punimet, por do të zgjatë disa kohë”, tha ai.

Telashet nga hidrocentralet dhe zbatimi i ligjit

Në disa prej komunave të Kosovës operojnë hidrocentrale të cilat shfrytëzojnë ujin e lumenjve.

Shpresa Loshaj, një aktiviste e ambientit nga komuna e Deçanit, ka thënë që disa prej lejeve që janë lëshuar për hidrocentrale në të kaluarën, duhet të pezullohen.

“Ne kemi pasë një takim me ministrin e ri të Ambientit, Liburn Aliu, i cili ka qenë shumë i frytshëm ku i kemi bisedu problemet e të gjitha komunave ku ka hidrocentrale ku kemi thënë se është e nevojshme ndërhyrja menjëherë. Ne kemi kërkua që të intervenohet në disa leje të hidrocentraleve dhe të adresohen degradimet që kanë ndodhur nëpër lumenj. Gjykata ka një vendim që të pezullohen disa leje”, tha ajo.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ajo ka thënë se në Grykën e Deçanit një lumë tashmë ka mbetur pa ujë.

“Ne e kemi një rast konkret i lumit të Rupës në Grykën e Deçanit, atje lumi është shndërruar në shkretëtirë, nuk ka ujë fare është një varr i hapur. Ne kemi kërku nga ministri që të angazhojë ekspertë që kanë me studiu se çfarë ka ndodhë me atë hapësirë”, deklaroi ajo.

Në anën tjetër, Fatos Lajçi i cili është pjesë e organizatës joqeveritare “Era”, tha se ligjet të cilat po miratohen nga shteti nuk po zbatohen nga vetë zyrtarët shtetërorë.

“Nëse flasim për ndërtimet në zonën e mbrojtur, e cila është shpallur diku në vitin 2012, por që ligji për planifikimin hapësinor për këto zona dhe kjo ka sjell degradime dhe dëmtime në ambient. Unë mendoj që duhet të zbatohet ligji kur vjen fjala për ndërtime, ligjet nuk po zbatohen as nga vetë kryetarët e komunave”, tha ai.