Kinemaja e improvizuar në Kalanë e Prizrenit FOTO: KALLXO.com

Komuna më e prekur me COVID-19, ndër komunat me më shumë vizitorë nga jashtë

 

Ndonëse pati rënie të vizitorëve në tre muajt janar-mars 2020 në raport me periudhën e njëjtë të viti të kaluar, megjithatë Kosovën për tre muaj e vizituan rreth 53 mijë vizitorë ku më shumë se gjysma e tyre ishin vizitorë të jashtëm.

Komuna e Prizrenit, si komuna më e prekur me virusin COVID-19 është ne mesin e tre komunave që pati më shumë vizitorë.

Për tre muaj në Kosovës pati rreth 53 mijë vizitorë, ku më shumë se gjysma e tyre ishin nga vendet e jashtme.

“Në TM1 2020, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 52 829, prej tyre 41.38% ishin vendorë dhe 58.62% ishin të jashtëm. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 85 929, prej tyre 40.87% nga vendorët dhe 59.13% nga të huajt”, thuhet në komunikatë.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 20 mijë e 486 vizitorë dhe 34 mijë e 105 net-qëndrimi.

ASK njofton se Prishtina dhe Prizreni janë komunat që më së shumti patën vizitorë.

“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Turqi, Gjermania, etj.”, njofton ASK.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit, statistikat, “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e parë 2020.

Më tej thuhet se në tremujorin e parë të vitit 2020 (TM1 2020) pjesë e anketës ishin 215 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e  Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, e kështu me radhë.

Komuna me më së shumti raste me COVID-19 ndër më të vizituarat

Sipas të dhënave të deritashme, të publikuara, Komuna e Prizrenit është komuna më e prekur në Kosovë me virusin coronavirusi COVID-19, me gjithsej 150 raste, ndërsa Komuna e Prishtinës me 110 raste apo 24 më pak raste në krahasim me komunën e Ferizajt e cila është komuna e dytë më e prekur në Kosovë ndërsa komuna e Pejës me 74 raste.

Komuna e Prizrenit në tre muajt janar-mars 2020 pati 5 mijë e 111 vizitorë vendorë me  6,838 netë-qëndrimi në numër përafërsisht të ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa komuna e Pejës, pati 8,277 vizitorë me 16,562 netë qëndrimit me një rënie prej -13.1 përqind më pak vizitorë dhe -6.4 përqind me netë-qëndrimit në raport me tre muajt e parë të 2019-ës. Gjithashtu edhe Komuna e Prishtinës në atë periudhë tremujore pati 4,719 vizitorë me 7,246 netë-qëndrimi që paraqet një rënie prej -36.6 përqind  për vizitorë dhe -36.2 për qind për netë-qëndrimi.

Në anën tjetër, sa i përket vizitorëve të jashtëm, Komuna e Prizrenit 7,753 vizitorë të jashtëm ku qëndruan 11,399 netë në tremujorin e parë të sivjetmë që në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019 paraqet një rënie prej -10 përqind  me një rritje prej 1.2 përqind sa i përket qëndrimit.

Tutje, Komuna e Prishtinës numëroi gjithsej 15,767 vizitorë me 26,859 netë-qëndrimi me një rënie prej -26.4 përqind për vizitorë dhe -27.7 për netë qëndrimi.

Ndërsa Komuna e Pejës u vizitua nga 4,376 vizitorë të jashtëm me 8,375 netë-qëndrimi që paraqet një rritje 9.1 përqind ndërsa rënie të qëndrimit për -2.5 përqind.