Komuna e Vushtrrisë subvencionon të infektuarit me COVID-19 nga familjet me kushte jo të mira

Komuna e Vushtrrisë do të ndajë nga 150 deri 300 euro për të infektuarit me COVID-19, nga familjet me kushte jo të mira financiare.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri ka njoftuar se nga ky vendim përfitojnë familjet me asistencë sociale,  familjet që nuk kanë të ardhura dhe familjet që kanë më pak se 350 euro të hyra mujore.

“Një komision i formuar nga Kuvendi do të bëjë vlerësimin e secilit rast për qëllim të rritjes së transparencës” ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas tij, aplikimi mund të bëhet gjatë gjithë vitit 2021 dhe vendimi do të përfshijë periudhën nga fillimi i pandemisë deri në përfundimin e saj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti muajin e kaluar kishte propozuar që çdo qytetari të Prishtinës të konfirmuar me COVID-19, bazuar në listat e IKSHPK-së, të subvencionohet me 50 euro.

Këtë propozim kishte thënë se do e dërgojnë në Kuvendin Komunal, që të marrë mbështetjen e asamblistëve të subjekteve tjera politike.