Zjarri te Shtëpia e Pleqëve, foto; Arjana Berisha/ KALLXO.com

Komuna e Prishtinës: Për çështje sigurie të moshuarit janë zhvendosur në hotel

Pas zjarrit që ka përfshirë një pjesë të objektit të Shtëpisë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, për shkaqe sigurisë të moshuarit janë zhvendosur në hotel.

Kështu ka njoftuar Komuna e Prishtinës në Facebook. Sipas njoftimit, të njëjti janë zhvendosur nga aty deri sa të bëhet pastrimi i objektit.

“Pas incidentit të zjarrit i cili ndodhi në Shtëpinë e të Moshuarve, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren Jehona Lushaku dhe ekipën përkatëse të drejtorëve vizituan vendin e ngjarjes dhe pas konsultimeve me ekipën e urgjencës mjekësore, zjarrfikësve dhe ekipës për siguri dhe emergjenca u mor vendim që të moshuarit për çështje sigurie, derisa të bëhet pastrimi i objektit, të zhvendosen në hotel”-thuhet në njoftim të publikuar më 19.02.2024

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar objektin që është përfshirë nga zjarri sonte më 19.02.2024.

Rama në një prononcim para mediave tha se zjarri e ka përfshirë një dhomë, dhe se gjendja aktualisht është stabile.

“Të gjithë banorët janë të sigurtë, janë evakuuar. Zjarri ka dalë prej një dhome. Tash do të shohim se përse ka ndodhur ai zjarr, çka e ka shkaktu. Ekipet mjekësore janë këtu, për t’i shiku nëse ka nevojë dikush për trajtim mjekësor. Për momentin gjendja është stabile” – tha Rama.

Policia e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com duke shtuar se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin.

Sipas organeve të rendit nuk ka ndonjë person të lënduar.

Shënim: Ky tekst është edituar në tekst. Emri i institucionit ku ka ndodhur zjarri nga Shtëpia e Pleqve është zëvendësuar me emrin e saktë të institucionit: Shtëpia për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare. Koha e editimit 22:55, më 19.02.2024