Komuna e Prishtinës hap varret vetëm në qytet, në fshatra duhet të organizohen vetë banorët

Komuna e Prishtinës përmes ndërmarrjes publike “Hortikultura” bën mirëmbajtjen e varrezave të qytetit.

Tek mirëmbajtja, kjo ndërmarrje ka përgjegjësi edhe varrmihjen për qytetarët e vdekur të kryeqytetit, duke liruar nga kjo familjarët e të vdekurve.

Ndërsa në fshatra të Prishtinës, mirëmbajtja dhe varrmihja duhet të bëhet nga vetë banorët, pasi “Hortikultura” nuk ua heq këtë shërbim.

Fatime Hajdari nga drejtoria e Parqeve në komunë ka thënë për KALLXO.com se mbulueshëmria e fshatrave nga ana e ndërmarrjes “Hortikultura” do kishte një kosto shumë të lartë.

“Drejtoria e Parqeve ka kontratë vjetore me NPL “Hortikultura” ku ndër tjerash përfshihet edhe mirëmbajtja e varrezave të qytetit dhe hapjen e varreve. Sa i përket fshatrave të Komunës së Prishtinës, organizimi dhe mirëmbajtja e varrezave bëhet nga vetë banorët dhe lagjet në bazë të organizimit që ka fshati. Mbulueshmëria e fshatrave nga NPL “Hortikultura” do të kishte një kosto jashtëzakonisht të lartë,” ka thënë Hajdari për KALLXO.com

Hajdari tutje ka shtuar se nuk kanë marr kërkesa nga banorë të fshatrave që hapja e varreve të bëhet nga institucionet e angazhuara nga komuna.

Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka kontratë për rregullimin e rrethojave të varrezave edhe në zona rurale por, jo edhe të bëjë mirëmbajtje të tyre.