Komuna e Podujevës: Shkarkimi i drejtorit të Inspekcionit nuk ka të bëjë me rrënimet në zonën e liqenit të Batllavës

Komuna e Podujevës ka reaguar në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Inspekcionit, Besnik Mulliqi, nga kjo pozitë.

Në një komunikatë për media, Komuna ka deklaruar se njëra ndër arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës që, siç është thënë në njoftim, “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës”.

“Duam të sqarojmë opinionin publik lidhur me lirimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Besnik Mulliqi në Komunën e Podujevës, se njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës”, thuhet në sqarimin e Komunës.

Komuna ka bërë të ditur se mbi këtë bazë janë ndërmarrë masa edhe ndaj zyrtarëve komunalë të inpekcionit.

“Mbi këtë bazë janë ndërmarrë edhe masa ndaj zyrtarëve komunal të inspeksionit për mos kryerje të detyrave zyrtare në ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe ruajtjen e mjedisit në zonën e Orllanit”, thuhet në njoftim.

Për pretendimet e drejtorit Mulliqi se ky shkarkim vjen pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, Komuna thotë se lirimi nga detyra e tij nuk ka të bëjë me rrënimet.

“Njoftimi për lirimin nga detyra të drejtorit Mulliqi është bërë që nga data 20 e muajit të kaluar ndërsa lirimi i tij zyrtar nga detyra është bërë me datën 29.07.2022, dhe nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan, siç po deklarohet para opinionit dhe mediave.  Përkundrazi nga reformimet të cilat janë bërë ditë me parë në këtë drejtori vërehen veprimet e para sot në terren”, njofton Komuna.

Më tej, në komunikatë thuhet se Komuna ditëve në vijim do të kërkojë sqarime shtesë për të gjitha rastet e ndërtimeve pa leje dhe bazën ligjore për veprimet e mëtutjeshme duke siguruar vendosjen e ligjshmërisë dhe ruajtjen e natyrës në zonën e Orllanit.

Gjatë ditës së sotme, drejtori i Inspekcionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, ka bërë të ditur se sot ka pranuar një vendim për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.

Mulliqi pretendon se ky shkarkim vjen pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

Ai e ka quajtur skandaloz vendimin për shkarkim ndonëse shton se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Komunës.

Shkarkohet drejtori i Inspekcionit në Podujevë