Shkarkohet drejtori i Inspekcionit në Podujevë

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, ka bërë të ditur se sot ka pranuar një vendim për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.

Mulliqi pretendon se ky shkarkim vjen pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

Ai e quan skandaloz vendimin për shkarkim ndonëse shton se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Komunës.

“Prandaj, me vendim të kryetarit  nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz. Të nderuar qytetarë të Podujevës, të dashur aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje!, Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!”, ka shkruar Mulliqi në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një koment nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi por i njëjti ka qenë i paqasshëm.