Fëmijë në klasë (Ilustrim). Foto: REL

Komuna e Kaçanikut punëson logopede pa licencë, arsyetohet se nuk ishte kriter i konkursit

Edhe pse Ligji për Shëndetësi në Kosovë nuk lejon asnjë profesionist shëndetësor që të ushtrojë profesionin e tij pa marrjen e licencës përkatëse, institucionet shëndetësore vazhdojnë ta injorojnë atë. 

Rast i tillë është në Komunën e Kaçanikut, e cila ka punësuar një logopede të palicencuar.

Drejtoria e Arsimit e kësaj Komune ka hapur konkursin për këtë pozitë pa përfshirë fare si kriter posedimin e licencës. Shpallja e konkursit ishte bërë më 29 shtator 2022.

Diploma universitare në drejtimin e Logopedisë ka qenë krejt çka është kërkuar.

Drejtori i Arsimit të kësaj Komune, Zahir Doda, tha se publikimin dhe rekrutimin e kandidatëve e bën Zyra e Personelit, ndërkaq ai ka bërë vetëm kërkesën për vend të lirë të punës.

“Publikimin e konkurseve dhe rekrutimin e kandidatëve e kryen Zyra e Personelit ndërsa DKA e bën kërkesën për vendet e lira të punës dhe njoftohet me kandidatët e përzgjedhur. Kjo është detyra e drejtorit të DKA-së” – u shpreh ai për KALLXO.com.

Ai ka dërguar edhe kërkesën e tij.

Ndërkaq, Zyra e Personelit e pyetur nga KALLXO.com nëse është në dijeni që punësimi i profesionistëve shëndetësorë të palicencuar paraqet shkelje ligjore, u përgjigj vetëm se kriteri i licencës nuk është kriter i përcaktuar në ndonjë udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit.

“Përveç kritereve të përgjithshme për pranim sipas Ligjit për Zyrtarë Publikë, për pozitën e lartcekur kandidatët duhet të kishin diplomë universitare në drejtimin e Logopedisë. Ndërkohë, mbi këtë bazë ligjore është zhvilluar konkursi dhe kriteri i licencës për këtë vend pune nuk është kriter i përcaktuar në ndonjë udhëzim administrativ të Ministrisë të Arsimit” – tha Festim Neziraj, zyrtar i personelit në Komunën e Kaçanikut për KALLXO.com.

Njëra prej kandidateve që ka konkurruar në këtë pozitë, në kushte anonimiteti ka rrëfyer për KALLXO.com pakënaqësitë e saj ndaj procedurave të këtij konkursi.

Ajo thotë se kandidatja fituese, Rimona Gudaçi, ishte punësuar, ndonëse nuk ka poseduar licencën e punës.

Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) e kontaktuar nga KALLXO.com ka konfirmuar se Gudaçi është licencuar më 20 prill të këtij viti, pra më shumë se katër muaj që kur ajo ka filluar punën.

Kandidatja e pakënaqur pakënaqësitë e saj i ka shprehur edhe në Komunë përmes ankesës, të cilën Komuna e ka refuzuar si të pabazuar.

Në ankesën e saj pretendohet për tri shkelje: shkelje esenciale të dispozitave të procedurës administrative dhe udhëzimit administrativ nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe interpretim të gabuar të dispozitave ligjore.

Ajo është ankuar duke pretenduar se ky konkurs ka qenë i manipuluar dhe i përgatitur për kandidaten e përzgjedhur.

Në ankesën e saj, ndër të tjera, ajo është ankuar edhe për mungesën e përvojës së kandidates fituese dhe ka cituar mungesën e një anëtari të komisionit me të njëjtin profesion për pozitën e shpallur, duke u bazuar në nenin 7, paragrafi i tretë të udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

Komuna e Kaçanikut ka refuzuar këtë ankesë si të pabazuar me arsyetimet se sipas konkursit, përvoja nuk ka qenë obligative. Sa i përket përbërjes së komisionit, është thënë se neni i lartpërmendur thotë që “aty ku është e mundshme, së paku njëri nga anëtarët duhet të jetë i të njëjtit profesion me pozitën e shpallur”.

Aty po ashtu thuhet se nuk janë gjetur fakte të mjaftueshme që konkursi ka qenë i manipuluar dhe i përgatitur për kandidaten e përzgjedhur.

Për të vërtetuar nëse ka qenë e mundur që në komision të ketë edhe logoped, KALLXO.com ka pyetur Komunën e Kaçanikut nëse kanë të punësuar ndonjë logoped.

Hidajete Guri, udhëheqëse e personelit, tha se kjo është hera e parë që Komuna e Kaçanikut ka hapur konkurs për logoped.

KALLXO.com ka kontaktuar Rimona Gudaçin për të marrë përgjigje lidhur me punësimin e saj si logopede, mirëpo në bisedën e parë ajo ka refuzuar të përgjigjet me arsyetimin se “është e zënë” në ato momente duke lënë mundësinë për të biseduar më vonë.

Pas kësaj, KALLXO.com ka provuar disa herë përmes thirrjeve dhe mesazheve që të vihet në kontakt me Rimona Gudaçin, por e njëjta nuk është përgjigjur në asnjërën formë.

Në CV-në e Gudaçit të marrë prej Komunës së Kaçanikut, figuron se ajo ka kryer stazh post-diplomik nga 28 shkurti deri më 28 mars 2022 në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare, nga 1 qershori deri më 1 gusht 2022 në Klinikën e ORL-së dhe nga 2 gushti deri më 2 shtator 2022 në Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve.

Ndërsa, në periudhën mars – maj 2022 thuhet se ka kryer stazh në Shkollën Fillore “Emin Duraku”, ku tani është e punësuar.

Zyra e Sektorit të Personelit në QKUK ka mohuar që Rimona Gudaçi të ketë kryer stazh në QKUK.

“Sektori i Personelit të QKUK-së, janë angazhuar së bashku me Stafin e Logopedisë në kuadër të Klinikës së ORL-së, dhe askund nuk figuron emri i Rimona Gudaçit, që ka qenë në QKUK apo në Logopedi për stazh apo punë në ndonjë klinikë” – thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Ndërkaq, drejtoresha e Shkollës “Emin Duraku”, Diana Bajrami, konfirmoi që Gudaçi ka bërë stazh në këtë shkollë në periudhën e lartcekur.

Siç është thënë edhe në konkurs, Gudaçi tani ushtron profesionin në dy institucione arsimore të kësaj komune, 3 ditë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Emin Duraku” dhe 2 ditë në Qendrën për Edukim dhe Arsimim Parashkollor “Agimi”.

Për këtë, kandidatja e pakënaqur ka paditur Komunën e Kaçanikut. Deri më tani për këtë është mbajtur vetëm seanca përgatitore.