Gjilan, që nga nesër, punëtorët e institucioneve nuk mund të hyjnë në vende të punës pa vaksinim e pa teste

Komiteti i Gjilanit për menaxhim dhe parandalim të përhapjes me COVID-19, nën udhëheqjen e kryetarit të komunës Lutfi Haziri, kanë marrë vendim që nga nesër punëtorët e shtetit nuk do të mund të hyjnë në vendet e punës pa konfirmim të vaksinimit, test PCR apo test rapid.

“Kreu i Gjilanit ka nxjerr sot vendimin se nga nesër, (7 shtator 2021), punëtorët e shtetit, përfshirë shërbyesit civilë, zyrtarët publik, mjekët, infermierët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, punëtorët teknikë etj., nuk do të mund të futen në vendet e tyre të punës pa konfirmim të vaksinimit, test PCR apo test rapid antigjen”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të Komunës së Gjilanit

Kryetari i komunës, Lutfi Haziri ju ka bërë thirrje qytetarëve gjilanas të vaksinohen, përderisa ka bërë të ditur se deri tani 49 mijë e 131 qytetarë të Gjilanit janë vaksinuar.

Mirëpo me 28 gusht, në mbledhje të Qeverisë është marrë vendimi i njëjtë, por data prej kur nuk do të lejohen punëtorët e institucioneve publike të shkojnë në punë pa qenë të vaksinuar apo pa test është 13 shtatori.

Ndërsa, Komuna e Gjilanit, ka marrë vendim që kjo të nis 6 ditë më herët.

Vendimi i Qeverisë me 28 gusht 2021