Komisioni për Punë të Jashtme takon delegacionin nga Austria, kërkojnë mbështetje për liberalizimin vizave

Komisioni për  Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga deputeti Haki Abazi, ka pritur në takim përfaqësues nga Parlamenti i Austrisë.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se kryetari i komisionit i ka njoftuar delegacionin për fushëveprimtarinë dhe angazhimet e komisionit.

“Ai me këtë rast vuri theksin tek ndihma që Austria i ka ofruar Kosovës gjatë rrugëtimit të saj drejt pavarësisë, e më pas edhe në përpjekjet e saj për integrim në strukturat euro-atlantike. Duke shprehu mirënjohjen e tij, Abazi tha se Kosova nuk do të resht asnjëherë për thellimin dhe ruajtjen e raporteve miqësore me shtetin mik Austrinë dhe popullin e saj”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, sipas komunikatës,  përfaqësuesi i delegacionit austriak, Martin Engelbergshprehu ka shprehur interesimin lidhur me zhvillimet në Kosovë, duke përfshirë edhe çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai, sikurse Carmen Jeitler, kryetare e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë të Parlamentit të Austrisë, siguroi anëtarët e Komisionit se Austria do të jetë përherë krah Kosovës deri në arritjen e plotë të aspiratave të saj.

“Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, miqtë austriakë këshilluan nikoqirët se rruga e vetme që dërgon rajonin në stabilitet të plotë, është ajo e pajtimit ndërmjet popujve”, thuhet tutje aty.

Anëtarët Komisionit, Xhavit Haliti, Dimal Basha dhe Time Kadrijaj, kanë kërkuar mbështetje të mëtejme nga shteti austriak, me theks të veçantë lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Anëtarët e komisionit, vlerësuan se takimi i sotëm do të ndikojë që opinioni i gjerë austriak do të njihet me realitetin në Kosovë dhe  aspiratat euro-atlantike të saj”, thuhet në komunikatë.