Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë zotohet për rritje të dinamikës së punës

Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike janë dakorduar ta rrisin dinamikën e punës së këtij komisioni gjatë sesionit vjeshtor.

Ata vendosen që tash e tutje mbledhjet do të zhvillohen çdo të premte dhe do të zgjasin gjatë gjithë ditës.

Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti nga LDK-ja, Driton Selmanaj fillimisht ka propozuar që komisioni të takohet dy herë gjatë javës në mënyrë që të përfundojnë intervistat më shpejtë.

Ndërsa deputeti i PDK-s, Abelard Tahiri ka propozuar që komisioni të mblidhet njëherë në javë, por të zgjas orarin e takimit.

“Mendoj ta kemi një ditë gjithë ditën sepse e shoh që duhet një punë rreth 7-8 orë në javë”-tha ai.

Më këtë propozim u pajtua edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Sa i përket dinamikes unë dakordohem që ta kemi të premten terë ditën që të mos caktojmë një ditë tjetër pasi jemi të shpërndarë në komisione tjera”-tha ai.

Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike në mbledhjen e mbajtur sot ka caktuar edhe intervistat e radhës.

Ky komision ka vendosur ta ftojë për intervistë ministrin e Financave Hekuran Murati të premten e javës së ardhshme në orën 10:00 ndërsa po atë ditë edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.