Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komentet e LDK-së dhe AAK-së ndaj ZRrE-së për tarifat e energjisë

Partitë opozitare LDK dhe AAK kanë dorëzuar komentet dhe sugjerimet e tyre tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me propozimin e kësaj të fundit për bllok-tarifat dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Sipas LDK-së, tarifat e propozuara janë të papërballueshme dhe propozojnë që të mbeten të pandryshuara deri në fund të këtij viti.

LDK ka propozuar që Qeveria të heq TVSH-në për energjinë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Sipas tyre, qeveria duhet të subvencionojë energjinë për të gjithë konsumatorët njëjtë, në mënyre që të mbajë tarifat ashtu siç janë deri në fund të këtij viti.

Tutje, në komentet e LDK i kërkohet ZRrE-së që në muajin qershor të hap diskutimet me të gjitha palët e interesit për shqyrtimin e tarifave, zbatimi i të cilave do fillojë prej datës 1 janar 2023.

Si dhe i kërkohet qeverisë të angazhohet për themelimin e “Fondit për konsumatorët në nevojë” ashti si e obligon Ligji për Energjinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu kërkon nga qeveria dhe ZRrE të ofrojnë alternativa afatagjata të furnizimit me energji të qëndrueshme dhe përballueshme, me theks të veçantë të ndërpriten vonesat për gazifikimin e Kosovës, projekt që shumë shtete të rajonit e kanë nisur.

Sipas tyre propozimi tarifave nga ZRrE është diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Grupi parlamentar i AKK-së në komentet dorëzuar ZRrE-së thonë se raporti nuk pasqyron në mënyrë të drejtë dhe të qartë përballueshmerinë e tarifave të propozuara pasi procesi është përcjellë me mangësi të theksuara dhe nuk reflekton analizë të hollësishme të gjendjes, vlerësim objektiv mbi procesin dhe nuk marrin parasysh parashikueshmërinë.

Sipas tyre, shtrenjtimi i energjisë në këtë situatë të rënduar socio-ekonomike është i papërballueshëm për shumicën e familjeve në Kosovë.

Tutje, nga AAK thuhet se diferencimi i konsumatorëve është diskriminues pasi përjashtohen qytetarë, grupe etnike apo komuna të caktuara nga llogaritja e tarifave.

Po ashtu përjashtimi i korporatave si konsumatorë të mëdhenj dhe bartja e barrës tek ekonomitë familjare paraqet elemente diskriminuese.

Në bazë të këtyre arsyetimeve AKK kundërshton rritjen e çmimit të energjisë dhe aplikimin e bllok tarifave.

Rikthehen bllok-tarifat e energjisë, konsumatorët që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë