Meliza Haradinaj-Stublla - Foto: Facebook/ Meliza Haradinaj-Stublla

Koalicioni LDK-AAK ia beson punët e jashtme të dënuares nga gjykata themelore

Nga marrëveshja për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ministria e Punëve të Jashtme i është besuar Meliza Haradinaj-Stubllës nga AAK.

E propozuara për kryediplomate të vendit është e dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për fshehjen e një biznesi gjatë deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, në kohën sa ishte këshilltare e ish-kryeministrit, Ramush Haradinajt.

Dënimi i saj erdhi pasi në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

Aktualisht rasti është në pritje të shqyrtimit në Gjykatën e Apelit pas një ankese që ka bërë Haradinaj-Stublla.

“IN MIDDLE LTD” ishte themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me agjencinë e regjistrimit të bizneseve në Kosovë.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklarojë pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Pas hulumtimit të KALLXO.com, saktësisht më 20 maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ndërkohe që në muajin tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte ka shpallur fajtore për raportim të rremë të pasurisë.

Gjykata e ka dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin do ta paguajë brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stubllakishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Hulumtimi i KALLXO.com, ngrihet aktakuzë ndaj këshilltares së Haradinajt

Pas hulumtimit të KALLXO.com, Meliza Haradinaj dënohet për fshehje të biznesit në Londër

Hulumtimi i KALLXO.com, ngrihet aktakuzë ndaj këshilltares së Haradinajt