Meliza Haradinaj- Stublla, In Middle LTD

Këshilltarja e Ramush Haradinajt fsheh biznesin e regjistruar në Londër

Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e ka regjistruar në Londër. Ajo nuk ka deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” është themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë më parë ka vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit.

Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

 

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Fshehja e të ardhurave nga kompania “IN MIDDLE LTD”

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur që Meliza Haradinaj – Stublla është drejtoreshë e “IN MIDDLE LTD”, kompani me adresë në Londër dhe që ka filluar veprimtarinë më 28 shtator të vitit 2015. Aktiviteti i deklaruar i kompanisë “IN MIDDLE LTD” në “Companies House” është zhvillimi i projekteve të ndërtimit, konstruktimi i ndërtesave të brendshme, menaxhimi i pasurive të paluajtshme me pagesë ose me kontratë, etj.

Foto: Open Corporates

certifikatën e themelimit të kompanisë “IN MIDDLE LTD”, Meliza Haradinaj – Stublla përveç që është drejtoreshë, është edhe poseduese e të gjitha aksioneve të saj. Në këtë certifikatë thuhet që kjo kompani ka 10 aksione, secila prej tyre me vlerë nominale prej 1 paund.

Po ashtu në deklarimin e bilancit të kësaj kompanie, në vitin 2016 ishin deklaruar asete me vlerë prej 10 paund, kapital dhe rezerva në vlerë prej 10 paund. Ndërsa në vitin 2017 janë deklaruar asete me vlerë prej 2,884 euro dhe kapital e rezerva në vlerë prej 2,355 euro.

Më 11 dhjetor, Gazeta JnK i ka dërguar pyetje këshilltares së kryeministrit për ta pyetur në lidhje me kompaninë dhe të ardhurat që nuk janë deklaruar në AKK.

Ajo e ka konfirmuar se biznesi është regjistruar në Londër në vitin 2015 kur ishte duke jetuar atje. Meliza Haradinaj – Stublla ka thënë se biznesi ishte në emrin saj dhe të bashkëshortit.

“Biznesi është në proces të mbylljes dhe nuk operon prej se jemi kthyer. Nuk kam asnjë të hyrë dhe asnjë shpenzim nga ky biznes, i cili siç e ceka është pasiv dhe në procedurë të mbylljes. Besoj siç e keni parë nga kërkimi në Google, statusi i kompanisë tregon: Active proposal to strike off (propozim për mbyllje), gjë që konfirmon pasivitetin”, ka thënë Haradinaj – Stublla.

Në datën 14, në faqen e “Companies House”, në profilin e kompanisë “In Middle ltd”, te kërkesa për mbyllje thuhet se “ky dokument është duke u proceduar dhe pritet të jetë i gatshëm për pesë ditë”.

Foto: Kallxo.com

Të nesërmen, më 15 dhjetor, në faqen e “Companies House” është ngarkuar dokumenti me propozimin për mbyllje të kompanisë.

Në dokumentin që e mban datën 18 dhjetor 2018 thuhet që dy muaj pas kësaj date emri i kompanisë “IN MIDDLE LTD” do të hiqet nga regjistri dhe kompania do të shpërbëhet.

“Pas shpërbërjes të gjitha pronat dhe të drejtat e zotëruara ose të mbajtura në besim, shoqëria konsiderohet të jetë ‘bona vacantia’ (pasuri e papretenduar) dhe në përputhje me rrethanat do t’i përkasë kurorës”, theksohet në këtë dokument.

Gazeta JnK nuk ka arritur të dëshmojë nëse kërkesa për mbyllje ka ardhur nga Haradinaj-Stublla apo nga autoritetet angleze.

Meliza Haradinaj – Stublla është bërë këshilltare e kryeministrit Haradinaj në shtator të vitit 2017. Haradinaj – Stublla nuk ka treguar datën dhe vitin e kthimit në Kosovë edhe pas insistimit të Gazetës JnK.

Ajo ka thënë për Gazetën JnK që kompania “IN MIDDLE LTD” nuk ka operuar që kur ajo është kthyer në Kosovë.

E në deklarimin e bilancit të kompanisë për vitin 2017 thuhet se ky dokument është aprovuar nga Bordi i kompanisë më 29 qershor të vitit 2018. Ky dokument po ashtu është nënshkruar nga Meliza Haradinaj – Stublla.

Foto: Companies House

Ligji për Deklarimin e Pasurisë obligon zyrtarët e lartë, që përveç pasurive të tjera t’i raportojnë edhe aksionet që i posedojnë nëpër Shoqëri Tregtare.

“Deklarimi në lidhje me gjendjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe anëtarëve të familjes së tyre, përmban informacione rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si: paluajtshmëria, pasuria e luajtshme në vlerë mbi pesë mijë (5 000) euro, zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare”, thuhet në nenin 5 të Ligjit për Deklarim të Pasurisë.

Mos deklarimi i saktë i pasurisë është vepër penale. Neni 437 të Kodit Penal që ka dy paragrafe në të cilët tregohet se cilat veprime mund të dënohen me burg.

Paragrafi i parë i këtij neni tregon se mos deklarimi i pasurisë dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet burg.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 437.

Foto: Companies House

Ndërsa, për deklarimin që nuk bëhet në përputhje me kërkesat e deklaratës së pasurisë flet paragrafi pasues.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili falsifikon ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 437 të Kodit Penal të Kosovës.