Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Klinaku: Protesta, shkak i fyerjeve ndaj UÇK-së

Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së ka thënë se aktiviteti protestues i organizuar sot, është bërë për shkak, siç ka thënë ai, ‘fyerjeve që ia kanë bërë dhe po i bëhen UÇK-së’.

Ai tha se lufta dhe angazhimi i luftëtarëve të UÇK-së, që rezultoi me krijimin e Kosovës shtet, është vetëm një pjesë e realizimit të qëllimit që kishte lufta çlirimtare.

“Sot me 12 qershor bëhet 22 vjet nga shporrja e pushtuesit nga Kosova, që shënohet si dita e çlirimit të Kosovës. Edhe pse janë bërë 13 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, populli përballet me shumë sfida”, tha Klinaku.

Ai ka përmendur misionet ndërkombëtare të drejtësisë, si UNMIK-u dhe EULEX-i, duke thënë se kanë pasur mandat për të gjykuar krimet në Kosovë, por kanë akuzuar dhe gjykuar vetëm shqiptarët.

“Gjykata Speciale, gjykon vetëm shqiptarët por jo edhe krimet e kryera në Kosovë, jo krimet e masakrat që i ka kryet pushtuesi serb kundër civilëve, por gjykon luftën çlirimtare”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe ish luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që tash ndodhen në Gjykatën e Hagës, duke vlerësuar përballja e tyre në këtë proces, është e padrejtë.

“Në këtë ditë, udhëheqësit e luftës tonë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sali Mustafa e Pjetër Shala gjenden prapa grilave në Hagë, pasi siç thash, po gjykohet lufta jonë e nuk gjykohen krimet e masakrat e pushtuesit serb”, ka thënë Klinaku.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com